Në Prishtinë filloi punimet edicioni i XXIX i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në ceremoninë që shënoi hapjen e seminarit, u theksua rëndësia e këtij organizimi, në të cilin po marrin pjesë studiues të gjuhës e kulturës shqipe nga rajoni dhe bota.
Studiuesit e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe nga e gjithë bota, janë mbledhur në Prishtinë për të marrë pjesë në Seminarin e XXIX Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.
Në organizimin, i cili shënoi hapjen e punimeve 12 ditore të seminarit, përfaqësues të jetës akademike dhe shtetërore në Kosovë thanë se me kalimin e kohës, seminari po dëshmohet të jetë i pandashëm nga jeta kulturore e akademike e vendit.
Drejtori i seminarit, Liman Matoshi, tha se edicioni i vitit 2010 nuk do të dallojë thelbësisht nga 28 edicionet e mëparshme- edicione këto që, sipas tij, i kanë kontribuuar edhe studimeve ballkanologjike.
...seminari ynë, pos që është shndërruar në një gjenerator të aktivitetit shkencor albanologjik, të zhvillimit, të përhapjes dhe të afirmimit në botë të kësaj dije dhe kulture, ai po ndihmon pa kursyer edhe studimet ballkanologjike
“Mund të thuhet se seminari ynë, përveçse është shndërruar në një gjenerator të aktivitetit shkencor albanologjik, të zhvillimit, të përhapjes dhe të afirmimit në botë të kësaj dije dhe kulture, ai po ndihmon pa kursyer edhe studimet ballkanologjike”, theksoi Matoshi.
Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, tha se seminari përbën një ngjarje shkencore e kulturore me dimension kombëtar e që, sipas tij, ka fuqizuar dhe kultivuar identitetin shqiptar. Ai e quajti “monument” të Republikës së Kosovës Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës Shqipe.
“Seminari është pjesë kyçe e identitetit të Kosovës dhe Kosova është pjesë thelbësore e vetë identitetit të seminarit”, u shpreh Hoxhaj.
Profesori i Etnologjisë Ballkanike dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërsburgut, Aleksandër Novik, për të tetën herë me radhë po merr pjesë në punimet e seminarit.
Njëzet vjet më parë ai erdhi për herë të parë në Prishtinë për t’iu bashkangjitur studiuesve dhe albanologëve nga e gjithë bota, ndërsa tani shpreson që sërish të takojë njerëz, me të cilët mund të shkëmbejë përvojat disa vjeçare në fushën e albanologjisë.
“Tani jam me studentët e mi për të marrë pjesë në seminarin në Prishtinë, i cili është për mua një
Tani jam me studentët e mi për të marrë pjesë në seminarin në Prishtinë, i cili është për mua një simbol i jetës sime.
Përveç studiuesve të gjuhës shqipe, seminari duket se ka nxitur kurreshtjen edhe të studentëve të fushave të tjera të interesuar ta njohin më afër gjuhën shqipe.
Kristofer Gonshara studion veterenarinë në Poloni, por tha se dëshiron ta mësojë gjuhën shqipe dhe se seminari i ofron që sado pak të njihet me këtë gjuhë.
Mendoj se është momenti më i mirë që të mësoj pak nga gjuha, të cilën e flasin shumica e njerëzve që jetojnë këtu.
“Është hera e tretë që jam në Kosovë. Mendoj se është momenti më i mirë që të mësoj pak nga gjuha, të cilën e flasin shumica e njerëzve që jetojnë këtu”, u shpreh Gonshara.
Seminarin e sivjetmë ndërkombëtar të gjuhës shqipe do ta përbëjnë tri nivele. Kurset e gjuhës thuhet se janë të ndara në tri nivele varësisht shkallës së njohjes së shqipes nga ana e kursistëve.
Në referimet shkencore pritet të referojnë 36 studiues, ndërsa në sesionin shkencor pritet që 116 studiues vendorë e ndërkombëtarë të kumtojnë rezultatet e studimeve të aspekteve të ndryshme të temave të zgjedhura.
Ndërkohë, tryeza tradicionale e këtij seminari i është kushtuar Nënë Terezës, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj.