(S')ka bisedime të fshehta me Serbinë

Kryeministri Hashim Thaçi

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar Qeverinë se po zhvillon bisedime të fshehta me Qeverinë e Serbisë. Deklaratat dhe akuzat e AAK-së drejtuar Qeverisë për bisedime sekrete me Serbinë, kryeministri Hashim Thaçi i ka cilësuar si qesharake.

Gjatë një konference për gazetarë, anëtari i Kryesisë së AAK-së, Ardian Gjini, tha se ka informacione që Qeveria e Kosovës po zhvillon bisedime të fshehta me Serbinë, pa dijeninë e popullit dhe pjesës tjetër të spektrit politik.

Ndonëse nuk dha detaje se nga kush dhe për çfarë po bisedohet, Ardian Gjini i AAK-së tha se këto bisedime, si të tilla, nuk mund të jenë në të mirën dhe interesin e Kosovës, pasi që, sipas tij, ato po zhvillohen pa dijeninë e opinionit dhe mediave.
Kemi informacione të sakta se në këtë kohë po zhvillohen takime dhe bisedime sekrete me Serbinë.

Kemi informacione të sakta se në këtë kohë po zhvillohen takime dhe bisedime sekrete me Serbinë - takime dhe bisedime, të cilat do t’ia humbin plotësisht kuptimin çfarëdo forme të bisedimeve, që do të ndodhin më tutje”.

“Çfarëdo bisedimesh që mbahen fshehur, nuk mund të jenë në asnjë variant në të mirë të popullit të Kosovës, qofshin ato teknike, për biznese të ndryshme apo për çfarëdo aranzhimi që mund të ndodhë, qofshin për veriun e Kosovës, për pjesë të ndryshme, apo tema për të cilat Kosova sot ka interes tepër të madh”, theksoi Gjini.

Duke iu referuar këtyre deklaratave të zyrtarëve të AAK-së, kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, tha se ato janë qesharake. Thaçi nuk u përqendrua shumë në akuzat e AAK-së për bisedime sekrete me Serbinë, duke kaluar në një temë tjetër - atë të rëndësisë që ka për Kosovën mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe sesioni i ardhshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Qeveria e Kosovës
“Fitorja historike e Qeverisë, diplomacisë, institucioneve dhe popullit të Kosovës në GJND, është një fitore që duhet t’i gëzohet secili. Prandaj, është një fitore e gjithë shtetit të Kosovës, e gjithë popullit të Kosovës, e miqve, e partnerëve ndërkombëtarë...”.

“Unë siguroj dhe garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se po ashtu edhe në Asamblenë e Përgjithshme do të kemi një lajm të mirë për Kosovën dhe nuk do të kemi më tutje deklarata qesharake”,
tha Thaçi.

Në anën tjetër, Ardian Gjini i AAK-së i tërhoqi vërejtjen Qeverisë se nëse nuk jep detaje rreth këtyre bisedimeve, atëherë kjo parti politike do të dalë të tregojë se cilët nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës po takohen me ata të Serbisë dhe në cilat vende po zhvillohen këto bisedime.

“Nëse ata (Qeveria) do t’ju thonë se nuk po mbahen këto bisedime, po ju them se shumë shpejt do të na detyrojnë neve që t’u bëjmë pyetje publike atyre se çfarë keni bërë atëherë në këtë e atë vend, ky e ai person”,
theksoi Gjini.

AAK-ja po ashtu ka kundërshtuar edhe kërkesën e përsëritur disa herë nga kryeministri Hashim Thaçi për përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur, pasi që, sipas kësaj partie, kjo kërkesë ka të bëjë me largimin e misioneve ndërkombëtare pa u zgjidhur problemi i veriut.

Përderisa Kosova ka problemin e veriut, prania ndërkombëtare, ka vlerësuar AAK-ja, është e domosdoshme.

Lexoni edhe këto:
Prishtina i merr shtruar bisedimet
Pro bisedimeve (teknike), por prioritet njohjet
Thaçi: Bashkëpunim po, jo dialog me Serbinë