Mundësitë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së


Autoritetet në Kosovë presin që në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të rrumbullakohet procesi, siç thuhet, procedural, që ka të bëjë me mendimim këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Pavarësisht dorëzimit të një draft-rezolute kundër shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës zotohen se po ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm që mbledhja e radhës e këtij organi të përfundojë me një rezolutë të favorshme për Kosovën.

Qeveria e Kosovës

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, nuk dha detaje për strategjinë vepruese të Kosovës, por shprehu bindjen se përmbajtja e rezolutës do të jetë pozitive për Prishtinën zyrtare.

“Ne ju sigurojmë që po ndërmarrim të gjithë hapat dhe të gjitha masat në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, që rezoluta, e cila do të derivojë nga Asambleja e Përgjithshme, të reflektojë dhe të fuqizojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha ajo.

Zyrtarë të Asamblesë së Përgjithshme kanë bërë të ditur se draft-rezoluta, e cila në aspektin kohor i dorëzohet e para këtij mekanizmi, është ajo që votohet e para.

Miratimi eventual i dokumentit, i cili është paraqitur i pari, thuhet se nënkupton refuzimin e dokumentit të dytë të dorëzuar për të njëjtën çështje, porse gjithçka varet nga parashtruesi.

Driton Lajçi

Analisti Driton Lajçi tha se shteti serb është një hap përpara Prishtinës zyrtare nëse merren parasysh këto procedura.

“Zatën, ky ka qenë edhe qëllimi i Serbisë dhe ngutja e Serbisë që, sa më shpejt që të jetë e mundur, të procedojë me draft-rezolutën, sepse duke i ditur procedurat që i parasheh Asambleja e OKB-së, ajo që plasohet e para, diskutohet e para. Serbia, nëse duhet të bëjë ndonjë lëshim, atëherë do ta bëjë në kuadër të kornizës së interesave të veta”, theksoi ai.

Megjithatë, deri më tani nuk është mohuar mundësia e paraqitjes së një projekt-rezolute të dytë për Kosovën gjatë punimeve të Asamblesë, të cilat pritet të nisin më 14 shtator.

Gjasat që projekt-rezoluta serbe të pësojë ndryshime për shkak të ndikimit të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera mbështetëse të Kosovës, vlerësohet të jenë reale për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Çitaku nuk përjashtoi mundësinë që të ketë dhe një projekt-rezolutë të dytë të paraqitur nga Bashkimi Evropian.

“Mundësitë ende janë të hapura, nuk ka ndonjë vendim definitiv”, u shpreh ajo.

Mirëpo, Lajçi theksoi se ajo që duhet të bëjë diplomacia kosovare, tani është lobimi te shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për mosvotimin e draft-rezolutës serbe.

Tash, strategjia dhe dyluftimi me bartësit e rezolutës do të duhej të adresoheshin te lobimi në BE, te miqtë, te partnerët, në mënyrë që draft-rezoluta e paraqitur nga Serbia, të mos votohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Unë mendoj se kjo është rruga më e mirë, më e shpejtë dhe më efikase për të ndalur një rezolutë, e cila nuk është e favorshme as për Kosovën, as për Bashkimin Evropian, e madje as për vetë Serbinë e as për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Lajçi.

Lexoni edhe këtë:
Betejë rezolutash