Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë kanë vendosur që t’ia transferojnë përgjegjësitë për ruajtjen e manastirit të Graçanicës Policisë së Kosovës.
Kjo është bërë e ditur nga vetë komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, në një konferencë për gazetarë.
“Si reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, NATO-ja ka vendosur që të transferojë përgjegjësitë kryesore për për ruajtjen e ‘pronave me status të veçantë’, të zgjedhura që ruhen nga trupat e KFOR-it te Policia e Kosovës”.
“Këshilli Veri-Atlantik ka vendosur më 9 korrik se ka ardhur koha që nëpër faza t'i transferojë përgjegjësitë për ruajtjen e objekteve tjera të rëndësishme te Policia e Kosovës. Manastiri i Graçanicës do të jetë i pari në këtë proces”, ka thënë gjenerali Bentler.
Ai ka shpjeguar se vendimi është marrë pas vlerësimit pozitiv të situatës dhe rekomandimit të komandantit të krahut jugor të NATO-s dhe vetë gjeneralit Bentler.
Komandanti i KFOR-it ka bërë të ditur se gjatë fazës përgatitore janë konsultuar të gjitha palët e përfshira, si Kisha Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës dhe komuna e Graçanicës.
Por, me gjithë konsultimet, duket se klerikët serbë nuk janë pajtuar me këtë transferim.
“Nuk jemi konsultuar me Beogradin, por autoritetet e Beogradit janë informuar kohë më parë. Dhe, natyrisht ne kemi pasur bisedime intensive me përfaqësuesit e lartë të Kishës Ortodokse, duke u kërkuar mbështetjen dhe pajtimin”.
“Natyrisht se ka pasur shumë rezerva, madje edhe kundërshtime për këtë hap. Por, ne kemi ndjerë se tani është koha e duhur për këtë proces”, ka shpjeguar Bentler, duke shtuar se procesi është dashur të përfundojë herët a vonë:
“Më duhet të pajtohem se nuk është arritur ndonjë pajtim, pra s’ka pasur marrëveshje të arritur. Por, kemi pasur bisedime e konsultime intensive”.
Në ekzekutimin e detyrës së re, që pritet ta marrë plotësisht deri në fund të gushtit, Policia e Kosovës do të monitorohet e këshillohet nga EULEX-i.
Autoritetet kosovare e shohin hapin e KFOR-it si një dëshmi që tregon se Kosova ka krijuar kapacitetet për sundimin e rendit dhe të ligjit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ngjashëm si në marrjen e përgjegjësive për ruajtjen e monumentit të Gazimestanit, edhe në Graçanicë, policia do të jetë në nivel të detyrës.
“Për këtë kanë biseduar kohë më parë drejtori i Policisë, bashkë me shefin e komponentës së Policisë së EULEX-it dhe me klerikët e Manastirit dhe i kanë bindur se kemi potencial dhe mundësi dhe natyrisht që, pas Gazimestanit, ku edhe gjatë festës së Vidovdanit ka kaluar pa incidente, kjo është një dëshmi shtesë se Policia e Kosovës është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë”, ka deklaruar Rexhepi.
Në anën tjetër, edhe kryetari i Graçanicës, Bojan Stojanoviq, është shprehur i bindur se kalimi i përgjegjësive nga KFOR-i te Policia do të kalojë qetë dhe nuk do të sjellë probleme.
Nuk është kurrfarë risie dhe mendoj se vetvetes ia ngremë tensionet nëse mendojmë se çka do të ndodhë.
“Ky është një vendim i pritur. Nuk është kurrfarë risie dhe mendoj se vetvetes ia ngremë tensionet nëse mendojmë se çka do të ndodhë.
Populli serb në Kosovë ka pësuar mjaft, kështu që kjo që po ndodh nuk tregon asgjë të re”.
“Sa i përket Manastirit të Graçanicës, ne besojmë thellë se populli serb është i aftë, që ta ruajë këtë manastir, pasi që bëhet fjalë për serbët në Policinë e Kosovës dhe natyrisht ata janë aty me pajtimin e Beogradit. Unë, si njeri, konsideroj se objektet e shenjta i ruan më mirë një polic serb, sesa ndonjë ushtar”, është shprehur Stojanoviq.
Manastiri i Graçanicës është i dyti, pas Monumentit të Gazimestanit që do të ruhet nga ana e Policisë së Kosovës. Këto transferime të përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës janë paraparë me Pakon e Ahtisarit.
KFOR-i ka bërë të ditur se do t’i kalojë përgjegjësitë Policisë edhe për ruajtjen e të paktën 4 manastireve tjera ortodokse.