Autoritetet në Kosovë hedhin poshtë çdo mundësi të bisedimeve për statusin, çështje kjo që u prek edhe në takimin e së martës të Këshillit të Sigurimit. Ndërsa, gjasat për bisedime teknike mes dy vendeve, sipas Prishtinës janë reale, vetëm në nivel të dy shteteve sovrane. Përndryshe, zyrtarët thonë se Prishtina nuk ka pse të ngarendë pas bisedimeve të tilla.
Autoritetet në Prishtinë thonë se edhe në takimin e së martës për Kosovën të Këshillit të Sigurimit, ishte mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ai që mbizotëroi debatin.
Edhe pse përfaqësues të të gjitha shteteve bënë thirrje për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, zyrtarët në Prishtinë thonë se do ta marrin shtruar këtë çështje.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka mbyllur çdo mundësi që të bisedohet sërish për statusin, qëndrim ky që u mbështet edhe në Këshillin e Sigurimit nga vendet që e kanë njohur Kosovën, si SHBA-të dhe Britania e Madhe.
Ndërsa, në bisedime teknike, sipas Kuçit, Kosova hyn vetëm si palë e barabartë.
“Për bisedimet mendoj se janë dy kategorizime në bashkësinë ndërkombëtare: Ata që mendojnë se duhet të bisedohet për nivelet e bashkëpunimit rajonal në nivel të barabartë ndërshtetëror dhe të tjerët që mendojnë aty-këtu për statusin e Kosovës”.
“Por, mendimi i GJND-së ka dhënë përgjigjen më të mirë në këtë drejtim. Nuk mund të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ide të tilla janë të papranueshme edhe moralisht jo shumë adekuate. Në anën tjetër, mund të bisedohet si dy shtete sovrane të pavarura, por Prishtina nuk ka asnjë arsye të ngarendë në bisedime të tilla”, thotë Kuçi.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi jep disa arsye, të cilat do të mund ta shtynin Prishtinën drejt bisedimeve teknike.
“Nëse ka arsye, ka arsye rajonale, për integrime evropiane të secilit veç e veç, por jo arsye që dikujt i konvenon më shumë apo më pak. Ndërsa, iluzioni i tillë se mund të ketë bisedime për statusin dhe lajthitja e tillë nuk i ndihmon askujt dhe as atyre që e mbështesin një mendim të tillë”, thekson Kuçi.
Por, zyrtarët serbë kanë qëndrim tjetër. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se edhe në bisedimet teknike, do të jetë i ndërlidhur statusi.
Ai, qëndrimin e Prishtinës zyrtare se me Serbinë do të flasë vetëm në nivel të dy shteteve sovrane, e sheh si një kusht të parealizueshëm.
“Në këtë rast, shqiptarët e Kosovës po tregojnë se nuk janë të interesuar për qetësimin e situatës dhe për çfarëdolloj dialogu. Ajo që duhet ta kuptojnë të gjithë pjesëmarrësit në këtë lojë politike është se në interes të të gjitha palëve të përfshira në këtë problem, është që të stabilizohet gjendja dhe të qetësohet situata”.
“Të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur derisa të ketë bisedime. Do të bisedojmë për gjëra teknike, por nuk mund t’u ikim bisedimeve për statusin, sepse shumë çështje teknike janë të lidhura drejtpërdrejt me statusin e pazgjidhur”, shprehet Ivanoviq.
Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, nuk shprehet optimist se mund të ketë bisedime të shpejta.
“Palët kanë pozicione të largëta dhe as afër nuk shihet ndonjë kompromis lidhur me agjendën dhe formatin, vendin dhe ndërmjetësit e këtyre bisedimeve, e kur kihen këto parasysh, vetëm ndonjë presion mund t’i ulë të dyja palët në një dialog”, shprehet Gashi.
Bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit janë përmendur si mundësi që para se GJND-ja të jepte mendimin e saj për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.
Tashmë kur mendimi sqaroi se shpallja e pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përfaqësues të opozitës thonë se është Prishtina ajo që duhet të përcaktojë agjendën e bisedimeve, nëse duhet të ketë fare të tilla.
Ibrahim Gashi shpjegon:
“Mirë që Kosova ka pranuar të ketë dialog për çështje teknike, por është mirë që të imponohet, me një agjendë pranë Brukselit se për çka është e gatshme Prishtina të bisedojë”.
“Prishtina duhet t’i listojë të gjitha çështjet që mund t’i bisedojë, dhe kjo agjendë të jetë pjesë e rezolutës, siç po thuhet, të cilën do ta përgatisë Brukseli për bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit”.
Ndryshe, Prishtina është e bindur, se përballja e radhës mes Kosovës e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të rezultojë, siç thuhet, me fitore të plotë të drejtësisë ndërkombëtare dhe të së drejtës demokratike që nënkupton të vullnetit të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur.