Betejë rezolutash


Kosova po përpiqet që në rezolutën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të zërë vend mendimi i GJND-së në favor të pavarësisë së Kosovës.

Një luftë të njëjtë, por për të shprehur kundërshtimin ndaj pavarësisë, rrjedhmisht mendimit të GJND-së, po e bën edhe Serbia.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, sqaron për Radion Evropa e Lirë se miratimi i rezolutës pas mendimit të GJND-së në Asmablenë e Përgjithshme, është aspekt procedural.

Por, meqë Kosova nuk është vend anëtar i OKB-së, nuk mund të parqesë rezolutë të saj. Kështu që, sipas Çitakut, kjo gjë u është lënë në duar partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Nuk është asgjë e veçantë që pas përmbylljes së çdo procesi në GJND, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton një rezolutë, si organ që ka deponuar kërkesën për një opinion të tillë. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për asgjë të jashtëzakonshme, as spektakulare. Ne, përmes partnerëve tanë, me të cilët kemi qenë bashkë në rrugëtimin tonë historik, do të sigurohemi që përmbajtja e rezolutës të reflektojë opinionin e GJND-së”, thotë Çitaku.

Zëvendësministrja Çitaku nuk jep detaje të tjera nëse dikush nga shtetet mike po e harton një rezolutë të tillë. Ndërsa, siguron se nuk do të lejohet që Serbia ta zbehë qartësinë e opinionit të GJND-së.

“Serbia do të synojë që të zbehë qartësinë e opinionit të GJND-së, por ne po bëjmë pjesën tonë të punës, që një gjë e tillë të mos ndodhë”, thotë Çitaku.

Analistë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë bërë thirrje që Kosova ta shfrytëzojë momentin e krijuar pas opinionit të GJND-së dhe të sigurojë njohje të reja para Asamblesë së Përgjithshme, e cila mblidhet në shtator.

Drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, thotë se është obligim, jo vetëm i Ministrisë së Jashtme, që të lobohet intensivisht në këtë kohë.

“Është një atu e madhe gjykimi i GJND-së për diplomacinë tonë dhe do të ishte mëkat mosshfrytëzimi i saj në ditët, javët dhe muajt që vijnë. Nuk është më ky obligim vetëm i një ministri të jashtëm; ky duhet të jetë obligim i tërë qeverisë dhe institucioneve, që të mobilizohen për të siguruar njohjet e domosdoshme”, thotë Hoxha.

Aktualisht, ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, gjendet në Nju Jork, ku po takon përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Ai thuhet se po afirmon në të njëjtën kohë mendimin e GJND-së, me qëllim që shtetet, që kanë hezituar deri tash ta njohin Kosovën, ta ndërrojnë qëndrimin.

Ndërkohë, një nga problemet që pengon Kosovën në rrugën kah BE-ja, mbeten pesë vendet e këtij unioni që nuk janë luhatur nga qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës, edhe pas vendimit të GJND-së.

Zëvendësministrja Vlora Çitkau thotë se po shqyrtohet një mundësi alternative e komunikimit me këto pesë vende, por nuk jep hollësi.

“Është për të të ardhur keq që qëndrimi i pesë vendeve nuk është vetëm në kundërshtim me vullnetin e popullit, por edhe me të drejtën ndërkombëtare”, thotë Çitaku.

Ylli Hoxha thotë se tash ekziston një hapësirë më e madhe për të bërë presion mbi Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Greqinë dhe Rumaninë - të gjitha këto vende të BE-së që janë shprehur kundër pavarësisë edhe pas mendimit të GJND-së.

“Duhet insistuar se me bllokimin e Kosovës, në fakt po bllokohet perspektiva evropiane e rajonit dhe këto shtete nuk mund të sillen pa përgjegjësi ndaj një politke të jashtme evropiane dhe një politike për integrimin e rajonit”,
shprehet Hoxha.

Kosovën, deri më tash, e kanë njohur 69 shtete, ndërsa është thënë se pas mendimit të GJND-së do të ketë rritje dramatike të këtij numri. Megjithatë, pothuaj një javë pas këtij mendimi, ende nuk ka njohje të reja. Synim i Kosovës është që para sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, numri i njohjeve të arrijë mbi 100.