Amerika sekrete: Sa e madhe dhe sa efikase?

Nju-Jork


“Kompleksiteti i sistemit amerikan të zbulimit del jashtë çdo përkufizimi”.

Ky është një nga përcaktimet që gjenerali në pension Xhon Vines ka dhënë gjatë një interviste për të përditshmen amerikane “Washington Post”.

Intervista me gjenerallejtënant Vines është një nga qindra intervistat e zhvilluara nga ekipi i “Washington Post”, si pjesë e një hetimi gazetaresk për efikasitetin e sistemit amerikan të zbulimit, sistem që pësoi shumë ndryshime pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

“Për shkak të mungesës së një procesi të sinkronizuar, padyshim që si rezultat kemi mesazhe që nuk përputhen, ulje të efikasitetit dhe humbje në planin e përgjithshëm”
, tha Vines për të përditshmen amerikane.

“Askush brenda sistemit amerikan të shërbimeve të zbulimit nuk e di sa i madh është ky sistem, sa kushton, sa vetë punojnë në këto struktura dhe deri në ç’shkallë ato janë të mbivendosura”, tha Dana Prist, gazetare dhe autore e librit “Top Secret Amerika”.

Sipas gazetës “Washington Post”, në këtë botë të shërbimeve të zbulimit punojnë 854 mijë persona, 1300 organizata qeveritare dhe mbi 2000 kompani private janë pjesë e aktiviteteve kundër terroriste, atyre të sigurisë kombëtare dhe të zbulimit në Shtetet e Bashkuara.

Ata gjenden në mbi 10 mijë vendndodhje. Të dish se çfarë bën çdo hallkë e këtij sistemi është detyrë e vështirë dhe njëherësh krijon boshllëqe e për pasojë krijon rreziqe sigurie.

Dy incidente terroriste vitin e kaluar, sulmi i dështuar në aeroplanin e një linje amerikane në ditën e Krishtlindjeve, sulmi në bazën ushtarake Fort Hud, ku një psikiatër i bazës vrau 13 ushtarë amerikanë si dhe sulmi i dështuar i 1 majit në Nju-Jork, dëshmojnë dështimin e agjencive të zbulimit.

Por, Geri Shmit, ish-drejtor i Komitit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit, tha se nuk është i bindur për mosefikasitetin e strukturave të zbulimit, bazuar në faktet e ofruara nga “Washington Post”.

“Kërcënimi është një koncept i vështirë, është si të gjesh gjilpërën në kashtë. Parandalimi i kërcënimeve kërkon burime të shumta, përfshi dhe ato njerëzore. Ekspertët duhet t’i paraprijnë komploteve, në mënyrë që ato të mos kthehen asnjëherë në realitet”
, u shpreh Shmid.

Dejvid Gompert, ushtruesi i detyrës së Shërbimeve Kombëtare të Zbulimit tha se përshkrimi nga “Washington Post”, nuk përputhet me komunitetin e zbulimit që njohim ne.

Dana Prist, gazetare, fituese e çmimit Pulitzer tha se shkrimet në “Washington Post” mund të ndihmojnë që të ndryshojnë gjërat. Ajo shtoi se kjo strukturë përballet dhe me një urgjencë tjetër.

“Ata janë në garë edhe me një tjetër sfidë, me defiçitin buxhetor dhe recesionin. Siç më kanë thënë zyrtarët e lartë nuk mund të ruhet ky nivel shpenzimesh. Në këtë mënyrë shërbimet e zbulimit duhet të studiojnë me kujdes për të vendosur se cili program funksionon e cili jo, në mënyrë që të bëjnë shkurtimet e nevojshme”, tha Priest.

I pyetur rreth gazetarisë hulumtuese të “Washington Post-it” dhe përfundimeve të këtyre hetimeve, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Filip Kroullei, tha.

“Ka pasur një proces të rëndësishëm rishikimi të mësimeve të nxjerra nga sulmi i dështuar i ditës së Krishtlindjeve dhe i kemi përshtatur procedurat tona operative. Ndryshimet tona janë bërë shumë më herët se sa hetimi i gazetës”.
(i.b.)