AAK: Rigjykimi, lajm i keq për Kosovën

(Foto nga arkivi)

Rikthimi në gjykim të pjesshëm të rastit Haradinaj dhe të tjerët ka befasuar shumëkë në Kosovë, por më tepër partinë e tij, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo parti beson në pafajësinë e liderit të saj, ndërsa thekson se vendimi ndaj tij është lajm shumë i keq për vendin. Juristët thonë se një vendim i tillë, siç e ka marrë sot Apeli, është i rrallë në Tribunalin e Hagës dhe ai kthen porcesin e gjykimit nga zeroja. Ndërkaq, analistët thonë se nuk mund të jetë e rastësishme që vendimi u mor një ditë para se GJND-ja ta thotë fjalën e saj për pavarësinë e Kosovës.

Vendimi i Dhomës së Apelit të Tribunalit të Hagës për të rikthyer në gjykim të pjesshëm rastin e Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt, ka qenë shokues për partinë e Ramush Haradinajt, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, nga e cila edhe ka ardhur reagimi i parë pas këtij vendimi.

Në një konferencë për gazetarë, nënkryetari i kësaj partie, Blerim Shala, duke paraqitur qëndrimin e AAK-së, tha se kjo parti është “tej mase e befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës”.

“...veçmas kur dihet se me një vendim të Shkallës së Parë të Këtij Tribunali, më 3 prill të vitit 2008, Haradinaj është shpallur i pafajshëm prej të gjitha akuzave. Si AAK, jemi të sigurt që, si herën e parë, ashtu edhe tani, në rigjykimin e pjesshëm që do të pasojë, shpresojmë sa më parë që është e mundur, Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, do të shpallet plotësisht i pafajshëm”, tha Shala.

Ramush Haradinaj
Dhoma e Apelit në Tribunalin e Hagës ka pranuar ankesën e Prokurorisë se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të paraqiteshin dy dëshmitarë kyçë të rastit, duke kthyer në gjykim të pjesshëm rastin Haradinaj dhe të tjerët.

Për avokatin, Fazli Balaj, rrëzimi i shkallës së parë në Tribunalin e Hagës është shumë i rrallë.

“Shumica e aktgjykimeve të shkallës së parë në Tribunalin e Hagës janë vërtetuar ose janë ndryshuar me ankesa të prokurorit, ose të avokatëve, lidhur me masën e dënimit, ose është rritur dënimi, osë është ulur. Por, që të prishen, janë prishur më rrallë”.

“Në rastin Haradinaj, një pjesë e akuzave është vërtetuar, nuk është prishur në tërësi aktgjykimi. Por, për ato pjesë, ato pika të aktakuzës, për të cilat është kthyer në rigjykim, çështja fillon prej fillimit, prej zeros. A do të thirren të gjithë dëshmitarët, unë nuk e di. Por, për ato pjesë që është prishur aktgjykimi, duhet nxjerrë provat që nga fillimi”,
tha Balaj.

Ai shprehu habinë për kthimin në paraburgim të Haradinajt dhe të Brahimajt, meqë, sipas tij, që të dy kanë dëshmuar se mund të mbrohen dhe në liri.

Vendimi i Apelit të Tribunalit të Hagës u mor një ditë para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë opinionin këshillëdhënës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se proceset politike në Kosovë do të dëmtohen me rikthimin në gjykim të rastit Haradinaj. Për këtë gjë, nënkryetari Ardian Gjini i tha Radios Evropa e Lirë se AAK-ja është e befasuar me vendimin e Apelit.

“Ne sot kemi qenë seriozisht të befasuar dhe të shokuar. Ka qenë krejtësisht e papritur për ne, jo vetëm për faktin se ne besojmë në pafajësinë e tij dhe se njëherë ishte liruar me vendim unanim të Gjykatës, por edhe për faktin që ka ndodhur në një moment tepër të rëndësishëm për Kosovën, pra vetëm një ditë para se të jepet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në kohën kur kërkohen bisedime me Serbinë”, tha Gjini.

Edhe analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se rikthimi në gjykim nuk është lajm i mirë për Kosovën.

Driton Lajçi tha se, meqë procesi do të marrë kohë, atëherë do të ketë ndikim në skenën politike, por edhe në proceset politike që po kalon Kosova.

Ai dyshon se është i rastësishëm vendimi i Apelit, një ditë para se GJND-ja ta thotë fjalën e saj për Kosovën.

“Edhe nëse është e rastësishsme, është e pamundur të mos lidhen me njëri- tjetrin. Dëshiroj që ky mos të jetë peshqesh për Serbinë, një ditë para vendimit të opinionit këshillëdhënës të GJND-së - eventualisht të jetë i favorshëm vendimi i nesërm - në mënyrë që të qetësohet Serbia një ditë përpara”, tha Lajçi.

Ekipi mbrojtës pritet të kërkojë lirimin me kusht të zotit Haradinaj.

Lexoni edhe këtë:
Gjini: Jemi të shokuar