Zyrtarët në Prishtinë shprehen mjaft skeptik për rezultatin që mund të sjellin bisedimet e paralajmëruara teknike Kosovë – Serbi. Këto dyshime ata i mbështesin në pozicionin e ashpër që mban Beogradi karshi shtetit të Kosovës. Madje, në Prishtinë dyshohet se këto bisedime mund të nisin brenda ndonjë afati të shkurtë kohor.
Bisedimet e paralajmëruara teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për autoritetet në Prishtinë janë, sa të ndërlikuara, aq edhe të paparashikueshme.
Ndërsa Prishtina zyrtare në parim disa herë ka shprehur gatishmërinë për bisedime dhe relaksim marrëdhëniesh me Serbinë, si dy shtete të barabarta fqinje, dyshohet se edhe Serbia, në anën tjetër, është e gatshme për bisedime të tilla.
Bazuar në qëndrimet e Beogradit karshi shtetit të Kosovës, shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, nuk pret shumë nga këto bisedime dhe madje as nuk beson se ato mund të nisin brenda një afati të shkurtë kohor.
“Bisedimet me Beogradin nuk mund të them se parashihet të ketë, sepse nuk ka asnjë instancë, qoftë kombëtare, apo ndërkombëtare, që ka vendosur për bisedime. Kosova është e gatshme të bisedojë me Serbinë njësoj si me të gjithë fqinjët tjerë”.
“Por, në radhë të parë duhet të arrihet një marrëveshje për të biseduar, e pastaj marrëveshje se për çfarë do të bisedohet. Bazuar në deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë serbë, atëherë ka pak hapësirë për optimizëm se do të ketë çfarëdo bisedash”, shprehet ministri Hyseni.
Nisur nga pozicioni i Serbisë dhe kërkesa që të bisedohet për statusin dhe çështjet e brendshme, si dhe fushata e paralajmëruar diplomatike pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së për pengimin e njohjeve të reja, edhe analisti Ilir Deda thotë se bisedimet e tilla janë një proces i vështirë dhe se ato duhet të definohen mirë para se të fillojnë në praktikë.
“Si mund të bisedojnë Serbia dhe Kosova për normalizim të marrëdhënieve, në qoftë se Serbia do ta ndërmarrë një fushatë agresive diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës?”.
“Njëra me tjetrën nuk shkojnë bashkë, domethënë nuk mund të bisedohet për normalizim të marrëdhënieve e të njëjtën kohë të ketë konfrontim ndërkombëtar me agjenda të ndryshme”, vlerëson Deda.
Në opinionin kosovar disa herë është përmendur edhe një fakt tjetër, ai i kërkim-faljes nga ana e Serbisë për viktimat e shkaktuara gjatë luftës, para se të nisin bisedimet.
Mirëpo, për kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkim-falja mbetet në përgjegjësinë morale të politikës së Beogradit, duke mos e parë këtë si një kushtëzim për bisedimet eventuale teknike.
“Nuk e shoh të udhës që të vendosen kushtëzime për bisedimet teknike që mund të zhvillohen në të ardhmen. Kërkim-falja më shumë është çështje e përgjegjësisë morale e udhëheqësve politikë serbë, sesa punë e jona për t’u marrë me atë çështje”, thotë Krasniqi.
Ndërkohë, Ibrahim Gashi, anëtar i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Aleancës Kosova e Re, thotë se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë për çështje praktike, duke numëruar disa nga problemet që kërkojnë zgjidhje bilaterale.
“Janë shumë çështje pezull, si ajo e njohjes së dokumentacionit, targave të automjeteve, çështja e të zhdukurve, lëvizja e lirë e çështje tjera”.
“Normalisht pala kosovare duhet të ketë edhe një strategji për këto bisedime që për ne janë teknike, por që në fakt pengohen që të ndodhin sot për shkak të qëndrimeve politike që ka pala serbe karshi Kosovës”, nënvizon Gashi.
Bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit diplomatët perëndimorë i kanë paralajmëruar se mund të nisin disa muaj pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së.
Ndonëse ende nuk është sqaruar përmbajtja dhe mënyra e organizimit të tyre, bisedimet shihen si rast për të dyja shtetet që të fillojnë një lloj bashkëpunimi si një prej parakushteve për bisedimet e ardhshme të të dyja shteteve në kuadër të proceseve integruese në strukturat e Bashkimit Evropian.