A ka Kosova strategji pas GJND-së?

Strategjia kosovare pas vendimit të GJND-së konsiston në bashkërendimin e veprimeve me SHBA-të dhe BE-në. Diplomacia kosovare konfirmon se ka një plan se si të veprohet pas 22 korrikut, por nuk jep detaje të tij. Mirëpo, opozita hedh dyshime në ekzistimin e një plani të tillë.

Përderisa janë bërë publike detaje të strategjisë së mundshme të Serbisë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, institucionet kosovare janë të rezervuara të thonë se si do të veprojnë pas këtij vendimi, cilido qoftë ai.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, siguron se Kosova ka strategjinë e saj, që është e bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por nuk jep detaje të kësaj strategjie.

“Unë vetëm mund t’ju konfirmoj se institucionet e Republikës së Kosovës janë duke i koordinuar në tërësi aktivitetet e tyre, pas përmbylljes së procesit në GJND. Ky koordinim është brenda-institucional, por edhe koordinim i fuqishëm me partnerët tanë ndërkombëtarë”,
thotë Çitaku.
...mund t’ju konfirmoj se institucionet e Republikës së Kosovës janë duke i koordinuar në tërësi aktivitetet e tyre, pas përmbylljes së procesit në GJND.


Në kuadër të kësaj, sipas Çitakut, është edhe vizita e kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takojë nënpresidentin amerikan, Xhozef Bajden, dhe senatorë e zyrtarë të tjerë amerikanë.

“Kjo është vetëm një nga elementet e një strategjie gjithëpërfshirëse, të cilën e kanë përgatitur institucionet e Kosovës, por ju e dini se për shkak të natyrës së çështjes, kërkohet edhe një shkallë diskrecioni”.

“Ne kërkojmë mirëkuptim, por duam t’ju sigurojmë se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe dhënien e opinionit nga ana e GJND-së ne e presim të përgatitur dhe me qetësi”,
bën të ditur Çitaku.

Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, është takuar një ditë më parë me përfaqësues të Quintit dhe ndër temat e diskutuara, ka qenë pikërisht mendimi këshillëdhënës i GJND-së, që do të jepet më 22 korrik, në orën 15.

Por, institucionet e vendit nuk janë konsultuar në lidhje me këtë çështje me opozitën. Të paktën ky është vlerësimi i përfaqësuesve të opozitës, të cilët dyshojnë se autoritetet kosovare kanë përgatitur ndonjë strategji pas vendimit të GJND-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë:

“E them me përgjegjësi të plotë se institucionet e Kosovës, konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme, pavarësisht deklarimeve të saj se ka strategji dhe plan për veprim pas GJND-së, kjo tashmë po vërtetohet se diçka e tillë nuk ekziston, sepse nuk ka asnjë arsye që të mbahen fshehur këto çështje”.

“Po ashtu, nuk ka asnjë arsye që të mos përfshihet në këto lloj strategjish dhe veprimesh edhe një spektër më i gjerë i institucioneve të vendit. Ne, si parti opozitare, asnjëherë nuk kemi marrë, së paku, as njoftim për diçka të tillë”.


Ibrahim Makolli

Koordinimin e SHBA-ve dhe BE-së për Kosovën, që është kërkuar edhe nga vetë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, Makolli e sheh si një veprim që këto vende mike e kanë parë të nevojshëm ta ndërmarrin, si pasojë e, siç thotë ai, mosveprimit të institucioneve të Kosovës.

Përderisa ne nuk i kryejmë detyrat tona që na takojnë, obligimet, detyrimet kushtetuese e shtetërore, natyrisht se të tjerët që kanë bërë shumë për këtë vend, janë obliguar pastaj të ndërmarrin veprime - në këtë rast, SHBA-ja dhe BE-ja”.

“Gjithashtu edhe vendet tjera mike të Kosovës, të cilat duke e parë se institucionet e Kosovës janë shumë inerte, janë detyruar që të ndërmarrin vetë veprime, për t’i zhvilluar proceset më tutje. Përndryshe, do të rrezikohej krejt kjo që është ndërtuar deri tash”,
thotë Makolli.

Paralajmërimet e Serbisë se do ta shtrojë çështjen e Kosovës sërish në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së, Vlora Çitaku i vlerëson si të zakonshme.

Veprimet e Beogradit, Çitaku më shumë i konsideron si pasojë e, siç e quan ajo, nervozizmit serb, pasi GJND-ja do të rreshtohet pro pavarësisë së Kosovës.

”Mbase mund ta kenë nuhatur edhe ata natyrën e opinionit që do të jepet nga ana e GJND-së”
, thekson Çitaku.

Por, në anën tjetër, Ibrahim Makolli thotë se diplomacia serbe sërish po tregohet më ofensive dhe më e përgatitur sesa ajo kosovare.

“Po qe se i krahasoni veprimet e institucioneve të vendit, ato janë veprime ad-hoc, kryesisht si rezultat i asaj çka ndodh dhe jo në bazë të një plani të veprimit, i cili ka një fillim, ka një mes të rrugës dhe ka një fund”,
shprehet Makolli.

Një pikë që i bashkon pozitën dhe opozitën në Kosovë, është mendimi se GJND-ja nuk do të dalë kundër vullnetit të popullit të Kosovës për liri.

Kërkesa që GJND-ja ta trajtojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë ishte iniciuar nga Serbia, dy vjet më parë.

Vitin e kaluar janë mbajtur seancat dëgjimore, në të cilat 14 shtete kanë mbrojtur argumentin e shpalljes së pavarësisë, ndërsa 12 kanë qenë kundër.

Kosovën, deri më tash, e kanë njohur 69 shtete, nga to më të fuqishmet në botë, si SHBA-të dhe 22 vendet e Bashkimit Evropian.