PTK-ja hetohet për korrupsion

(Foto nga arkivi)

EULEX-i po heton PTK-në lidhur me dyshimet për korrupsion gjatë dhënies së një licence të telekomunikimit.

Në vazhdën e hetimeve për korrupsion që po i zhvillon misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, në mëngjesin e së enjtes pjesëtarët e policisë së këtij misioni, të asistuar edhe nga ata të Policisë së Kosovës kanë nisur një bastisje në Postë-Telekomin e Kosovës dhe në disa lokacione të tjera në Prishtinë dhe Pejë.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se bastisjet janë të ndërlidhura me hetimet për dyshime rreth çështjeve financiare dhe korrupsionit lidhur me një licencë të telekomunikimit.

“Pjesë e këtyre hetimeve është bartja e licencës për telekomunikim të një operatori në rrjetin mobil virtual, në vitin 2007 dhe 2008, ndërmjet kompanisë 'Dardafon' dhe PTK-së, e cila dyshohet se është bërë në mënyrë të kundërligjshme”.

“Prandaj, zyrat e kompanisë ‘Dardafon’, zyrat e kompanisë 'Devolli Group' dhe kompania 'Z mobile', si dhe banesat e përfaqësuesve të këtyre kompanive janë duke u bastisur
”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se bastisjet e tetë lokacioneve janë bazuar në autorizimin e gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX-it dhe se hetimet janë zhvilluar në mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Përveç tetë lokacioneve - tri prej të cilave në Prishtinë dhe pesë në Pejë, EULEX-i ka bastisur edhe zyrën, banesën dhe veturën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha.

Në një konferencë për media, Haxha ka thënë se u ka ofruar bashkëpunim të plotë hetuesve të EULEX-it, ndërsa ka bërë të ditur se policia e këtij misioni, ndonëse ka konfiskuar dokumente, kompjuterë dhe materiale të tjera, nuk ka arrestuar e as intervistuar tek asnjë punonjës e PTK-së.

Postë - Telekomi i Kosovës

Haxha ka thënë se hetimet e EULEX-it kanë të bëjnë me ish-menaxhmentin e Psotë-Telekomit të Kosovës, ndërsa shprehu bindjen se punonjësit aktualë në krye të kësaj ndërmarrjeje do të jenë dëshmitarë për të zbardhur çështjet e ngritura.

“Ne vazhdojmë punën si çdo herë, normalisht, do ta luftojmë krimin ende në kompani dhe jemi duke bashkëpunuar ngushtë me EULEX-in”.

“Kemi paraqitur edhe gjashtë raste tek EULEX-i, të cilat ne i kemi dorëzuar. Kryesisht është i involvuar ish-menaxhmenti, i cili e ka dëmtuar rëndë PTK-në dhe buxhetin e shtetit të Kosovës”,
është shprehur Haxha.

Mbështetje në hetimet e EULEX-it ka ofruar edhe kompania tjetër, objektet e së cilës janë bastisur gjatë ditës. “Kompania “Devolli Group”, në kuadër të së cilës funksionon edhe operatori “Z Mobile”, ka njoftuar se i ka mundësuar EULEX-it qasje të lirë gjatë procesit të bastisjes.

Opozita në Kosovë, ndërkaq, i ka quajtur lajme të mira për Kosovën bastisjet e zhvilluara nga EULEX-i.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka theksuar se megjithatë duhet të bëhet një ndarje në mes të përgjegjësisë penale e asaj politike. Arifi ka kritikuar Qeverinë aktuale për ekzistimin e, siç ka thënë ai, sistemit korruptiv në Kosovë.

“Ne duhet ta ndajmë përgjegjësinë penale dhe përgjegjësinë politike. Ne akuzojmë Qeverinë Thaçi se ka krijuar koncept korruptiv me këtë qeverisje. Korrupsioni që nga ardhja e Qeverisë Thaçi ka qenë pjesë normale e aktivitetit qeverisës”
, është shprehur Arifi.

Bastisjet e para që EULEX-i i ka bërë lidhur me dyshimet për korrupsion kanë qenë lokacionet e Ministrisë së Transportit e Postë-Telekomunikacionit dhe pronat private të ministrit, Fatmir Limaj.

Hetimet ndaj Limajt janë duke vazhduar, ndërsa ditë më parë EULEX-i ka arrestuar personin e parë, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në çështje korruptive - këshilltarin e Ministrit të Shëndetësisë në Kosovë, Ilir Tolaj.