Shkup: Mirëpritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata në Shkup


Organizata joqeveritare “Realiteti” ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e vendimit të Ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës maqedonase nga klasa e parë nga nxënësit shqiptarë dhe të bashkësive etnike joshumicë në Maqedoni.

Përfaqësuesi i Organizatës joqeveritare “Realiteti”, Altin Kaja, ka deklaruar se ky vendim dëshmon se institucionet e shtetit nuk respektojnë ligjet dhe Kushtetutën:

“Kërkuam nga ministri Todorov dhe nga zëvendësministrja Lindita Qazimi që ta marrin përgjegjësinë për tensionet që u krijuan në Maqedoni gjatë kësaj periudhe. Mblodhëm 12 mijë nënshkrime, si masë preventive, i dërguam te ministri. Dihej prej fillimi se ky vendim është politik dhe diskriminues”,
ka thënë Kaja.

Ndërkohë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka përshëndetur edhe Lëvizja qytetare “Zgjohu”. Pas këtij vendimi të gjykatës “Zgjohu” konsideron se ministri i Arsimit duhet të japë dorëheqje të menjëhershme.

Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të ministrit Todorov për mësimin e maqedonishtes, ka konstatuar se tashmë është evident roli i garniturës së Bashkimit Demokratik për Integrime, që, sipas kësaj partie, te shqiptaret do të mbahet mend si një nga politikat më të mbrapshta.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, Nuhi Dardhishta, ka thënë se vendimi është i pritur.

“Ne, edhe pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese kemi dhënë vërejtjet tona dhe i kemi thënë jo maqedonishtes dhe kemi punuar me një intensitet shumë të madh me ambasadorët dhe kryetarët e komunave prej ditës kur është miratuar ky vendim”.

“Para se të mendojë ministri ta zbatojë në praktikë vendimin për mësimin e maqedonishtes në gjysmë-vjetorin e dytë të vitit shkollor 2009-2010, ne i kemi bindur kryetarët e komunave shqiptare që maqedonishtja të mos fillojë prej klasës së parë”
, ka shpjeguar Nuhi Dardhishta.

Iniciativa për shfuqizimin e vendimit të ministrit të Arsimit është ndërmarrë nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike Shqiptare dhe Organizata joqeveritare “Realiteti”, nga janari i këtij viti.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, me vendimin për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë ka hyrë në kompetencat e Kuvendit, pasi, sipas Ligjit për arsim fillor, që është në fuqi, mësimi i gjuhës maqedonase për nxënësit joshumicë duhet të fillojë nga klasa e katërt.