“Qëndrimi i GJND-së mund të nxisë rreth 30 shtete që shumë shpejt ta njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Marc Weller, ekspert i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin "Cambridge".
RADIO EVROPA E LIRË
Cili mund të jetë mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe çfarë zhvillime mund të pasojnë?
MARC WELLER
Gjykata ka tri opsione. Mund të abstenojë nga dhënia e mendimit, por mendoj se kjo është pak e mundur. Mundësia e dytë është që çështjen ta definojë shumë ngushtë, duke analizuar legalitetin e aktit të shpalljes së pavarësisë nga ana e institucioneve të Kosovës.
Konsideroj se janë të vogla gjasat që Gjykata këtë akt ta kualifikojë të paligjshëm. Opsioni i tretë është që GJND-ja të shpallë një mendim të përgjithësuar për të drejtën për pavarësi dhe vetëvendosje, që do të ishte rast që të saktësohen normat e së drejtës ndërkombëtare për këto çështje. Por, nuk mendoj se GJND-ja do të vendosë për këtë qasje.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka vlerësime se GJND-ja do të shpallë një mendim të shumështresuar, që do t’i mundësonte edhe Prishtinës dhe Beogradit ta lexojnë ashtu siç u konvenon?
MARC WELLER
Gjykata Ndërkombëtare në parim nuk ka prirje të japë mendim që nuk është në harmoni me realitetin e jetës politike ndërkombëtare. Rrjedhimisht, konsideroj se ka pak gjasa që në formë të prerë të vlerësojë jolegjitime shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Njëkohësisht, nuk besoj se do të lëshohet në analizë të gjerë për të drejtën për vetëvendosje dhe çështje të ngjashme. Pikërisht për këtë duhet pritur mendim të balancuar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Por, pasi që kemi të bëjmë me qëndrim jo obligues të këtij institucioni – çfarëdo të jetë – nuk duhet pritur ndryshime dramatike në terren.
RADIO EVROPA E LIRË
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka deklaruar se pavarësisht nga mendimi i GJND-së, Beogradi do të vazhdojë betejën për bisedime të reja për statusin. Sa është kjo reale?
MARC WELLER
Varet nga qëndrimi i GJND-së. Nëse e cilëson jo legjitime shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Serbia mundet që sërish t’i drejtohet Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të kërkojë mendim të ri për pasojat e këtij akti. Por, siç thashë më lartë, kjo mundësi është pak e mundur.
Nëse qëndrimi i GJND-së nuk do të jetë shumë i prerë, siç presin shumica, atëherë do të ketë gjithnjë e më pak durim në Kombet e Bashkuara, për përpjekjet e Serbisë, sepse tashmë i ishte dhënë një rast që çështjen ta dërgonte në Hagë. Pra, nëse GJND-ja nuk dënon në formë të qartë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kjo me të drejtë ose jo, do të konsiderohet indikacion i aspiratës së Kosovës për pavarësi.
Por, është evidente se Serbia nuk do të heqë dorë nga synimi që sërish të shqyrtohen çështje që tashmë janë elaboruar në Planin e Ahtisarit. Së paku, një çështje mbetet të zgjidhet dhe kjo ka të bëjë me mossuksesin e institucioneve të Prishtinës që të vë kontroll dhe administrim në veri të Kosovës.
Për këtë mbase duhet të bisedohet sërish. Beogradi dhe Prishtina duhet të bisedojnë edhe për disa çështje praktike. Mendimi i GJND-së mund të shërbejë si nxitje në këtë drejtim. Por, nuk mendoj se është reale të pritet hapja e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Nëse GJND-ja vlerëson se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë jo legjitime, a do të ndikojë kjo te shtetet ndryshme që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë?
MARC WELLER
Pak është e mundur që në këtë rast Rusia të njohë pavarësinë e Kosovës. Por, mund të pritet që 30 vende shumë shpejt të njohin pavarësinë e Kosovës.
Pra, qëndrimi i GJND-së mund të nxisë vargun e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës. Kundërshtarët më të mëdhenj, siç është Rusia dhe Qiproja, gjithsesi nuk do të ndryshojnë qëndrimin.
RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit është spekuluar me mundësinë e ndarjes, përkatësisht këmbimit të territoreve – veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës?
MARC WELLER
Kosova nuk dëshiron ndarjen. Njëkohësisht, Serbia dëshiron të integrojë pjesën veriore të Kosovës, por pa humbur asnjë pjesë të territorit të vet. As në bashkësinë ndërkombëtare nuk ekziston atmosfera për parimin e këmbimit të territoreve, kështu që ky opsion nuk është realist.
Pra, duhet pritur bisedime, përmes të cilave Kosova gradualisht do të ri-integronte pjesën veriore. Në këtë kuptim mund të parashikohen bisedime për vendosjen e një forme të lidhjeve speciale të Beogradit me veriun e Kosovës dhe disa çështjeve tjera.