Autoritetet përgjegjëse vendore e ndërkombëtare në Kosovë thonë se janë duke vazhduar bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje për të rifunksionalizuar në tërësi gjykatat në veri të Mitrovicës. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës theksojnë nevojën për funksionimin sa më parë të sistemit të drejtësisë edhe në veri të vendit, duke shprehur bindjen se, pavarësisht shtyrjeve të afateve kohore, palët e përfshira do të vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur këtë problem.
Pavarësisht njoftimeve që flasin për shtyrjen e afatit kohor për rikthimin e gjykatësve vendorë në gjykatat në veri të Mitrovicës, autoritetet përgjegjëse zotohen se janë duke vazhduar konsultimet për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte rifunksionalizimin e tërësishëm të atyre institucioneve.
Në tryezën e diskutimeve për këtë çështje thuhet se është hedhur edhe ideja që në vend të katër gjykatësve vendorë - dy të përkatësisë etnike shqiptare e dy të asaj serbe, për shkak të situatës aktuale të sigurisë, në veri të vendosen gjykatës shtesë të EULEX-it.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky opsion është shqyrtuar në diskutimet që këshilli ka zhvilluar me përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, por se ende nuk është marrë ndonjë vendim konkret.
Nuk e di se a janë nivelet e tjera politike në këto bisedime, mirëpo ne si Këshill Gjyqësor nuk kemi diçka më tepër në këtë drejtim...
“Momentalisht, nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete. Ka pasur disa që ndoshta të shkojnë gjyqtarët e EULEX-it për ta relaksuar edhe një herë situatën”.
“Nuk e di se a janë nivelet e tjera politike në këto bisedime, mirëpo ne si Këshill Gjyqësor nuk kemi diçka më tepër në këtë drejtim”, thotë kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.
Ai shton se ngjarjet e fundit në veri të vendit kanë ndikuar në shtyrjen e afatit për kthimin e gjykatësve vendorë atje.
Mirëpo, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljeviq, mohon se incidentet e javëve të shkuara në veri, të kenë pasur ndikim në vendimin e EULEX-it për të shtyrë kthimin e parashikuar të punonjësve të drejtësisë në atë pjesë të vendit.
Nuk do ta definoja si tërheqje të EULEX-it, sepse po i vazhdojmë bisedat me akterët relevantë...
Gudeljeviq deklaron se nuk mund të bëhet fjalë për tërheqjen e misionit evropian nga kjo çështje.
“Nuk do ta definoja si tërheqje të EULEX-it, sepse po i vazhdojmë bisedat me akterët relevantë. Ne jemi të përfshirë në këto biseda intensive qe më shumë se një vit për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje”, shprehet Gudeljeviq.
Në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, në mars të vitit të kaluar kishin nisur seancat e para gjyqësore, pas një bllokade më se një vjetore si pasojë e protestave të dhunshme të serbëve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në ato gjykata ishin angazhuar katër gjykatës, dy prokurorë, dy këshilltarë ligjorë të gjykatave dhe dy këshilltarë ligjorë prokurorialë - që të gjithë të mandatuar nga misioni EULEX.
Rikthimi i gjykatësve vendorë në ato institucione ishte kundërshtuar nga Beogradi zyrtar - përfaqësues të të cilit kishin paralajmëruar destabilizimin e situatës së sigurisë në rast të realizimit të një plani të tillë.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thekson nevojën për instalimin sa më parë të sundimit të ligjit në veri.
“Është interes i të gjithëve që të ketë sundim të ligjit. S’është interes për të pasur sundim të ligjit vetëm për ata që e thyen ligjin. Pra, ka njerëz edhe në veri, edhe të tjerë që mund të jenë partnerë të tyre në situata të caktuara, që s’mërziten shumë se kur duhet të vihet në efiçiencë të plotë me gjykatës”, thekson presidenti Sejdiu, duke shprehur bindjen se do të vazhdojnë përpjekjet e mekanizmave përgjegjës deri në gjetjen e një zgjidhjeje për gjykatat në veri të Mitrovicës.
Në pritje të kësaj zgjidhjeje janë dhe dy gjykatëset serbe, Ruzica Simiq dhe Millena Xheriq - që të dyja kandidate për të nisur punën në Gjykatën e Qarkut në veri.
...besoj se nuk janë krijuar kushtet objektive për fillimin e punës së gjykatës në pjesën veriore të Mitrovicës...
Xheriq nuk e komenton shtyrjen e afatit për kthimin e saj në objektin e Gjykatës së Qarkut në veri, por thotë se aktualisht mungojnë kushtet që do t’ia mundësonin asaj veprimin si gjykatëse.
"Unë besoj se nuk janë krijuar kushtet objektive për fillimin e punës së gjykatës në pjesën veriore të Mitrovicës - së pari duhet të bëhet një marrëveshje ndërmjet Beogradit, Prishtinës dhe EULEX-it”, përfundon Xheriq.