Përfaqësues të NATO-s i kanë quajtur të izoluara incidentet e fundit në veri të Kosovës, por kanë theksuar gatishmërinë për rritjen e pranisë së KFOR-it në atë pjesë. Ata u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin retorikën që mund të shkaktojë tensione të sërishme në veri të Mitrovicës.
Përfaqësues të NATO-s dhe ata të KFOR-it kanë shprehur gatishmërinë që të shtojnë praninë e tyre në veri të Kosovës, për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë në atë pjesë të vendit.
Ata i kanë dënuar incidentet e javës së kaluar në veri, duke theksuar se ato nuk mund të destabilizojnë situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë.
Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, i ka cilësuar të izoluara incidentet e fundit në veri dhe ka theksuar se, pavarësisht fazës së reduktimit, në të cilën gjendet misioni i NATO-s në Kosovë, ai do të jetë i gatshëm të reagojë në mënyrë të duhur ndaj incidenteve të tilla.
“Do të thosha se këto janë incidente të izoluara që ndërlidhen me disa ngjarje të caktuara. Këto nuk reflektojnë situatën e përgjithshme të sigurisë në vend”.
“Edhe pse KFOR-i po zvogëlohet, ai po mbetet i shkathtë dhe natyrisht se ka aftësinë për t’u marrë me incidentet e vogla të sigurisë”, ka thënë Fitcxherald.
Veriu i Kosovës mbetet shqetësimi kryesor i KFOR-it, ka thënë pas takimit me Fitcxheraldin komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler.
Megjithatë, Bentler ka theksuar nevojën për zgjidhjen paqësore dhe politike të problemeve në veri.
“Kjo zonë mbetet shqetësimi dhe tendosja jonë kryesore në të ardhmen. Ne po punojmë ngushtë me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës. Besoj se situata në veri kërkon një zgjidhje paqësore dhe politike, e jo një të dhunshme”.
“Sidoqoftë, KFOR-i do të rrisë praninë e vet për të garantuar një ambient të qetë e të sigurt”, ka deklaruar Bentler, për të shtuar se KFOR-i do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme në kuadër të mandatit të vet, në rast të destabilizimit eventual të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
Në fillim të këtij muaji, gjatë një proteste në veri të Mitrovicës kishte ndodhur një shpërthim, si pasojë e të cilit kishte humbur jetën një, ndërsa ishin plagosur 11 persona të përkatësisë etnike serbe.
Disa ditë pas këtij incidenti, po në pjesën veriore të Kosovës ishte plagosur deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Liberale Serbe, Petar Miletiq.
Pas këtyre zhvillimeve, autoritetet kosovare kishin propozuar dërgimin e njësiteve speciale të Policisë në veri të Kosovës - ide kjo që në Beograd u cilësua si kërcënim i hapur për luftë.
Admirali Fitcxherald ka ftuar të gjitha palët e përfshira që të shmangin, siç ka thënë ai, retorikën që do të rriste tensionet në atë pjesë të vendit.
“Besoj se të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të shmangin çdo lloj eskalimi të tensioneve dhe çdo lloj paraqitjeje të sërishme të dhunës dhe kjo përfshin retorikën që do të rriste tensionet apo shfaqjen e dhunës”, është shprehur Fitcxherald duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për veprimet e misionit evropian për sundimin e ligjit dhe Policinë e Kosovës në veri.
Misioni i NATO-s në Kosovë aktualisht ka rreth 10 mijë trupa, ndërsa vendimi për reduktime të mëtejmë thuhet se do të merret varësisht gjendjes së sigurisë dhe asaj politike në vend.