Kosova e Serbia përballen në KS

Këshilli i Sigurimit

Tadiqi akuzoi pavarësinë për dhunën, derisa Hyseni i bëri thirrje Beogradit t’i lërë të qetë serbët e Kosovës.


Sesioni i jashtëzakonshëm i Këshillit të Sigurimit për Mitrovicën solli dhe njëherë përplasjen e qëndrimeve mes përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë dhe mbështetësve të tyre.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, fajësoi pavarësinë e Kosovës për dhunën në veri të Mitrovicës.

Boris Tadiq
“Ajo që ndodhi në Mitrovicë është konsekuencë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. E vërteta është se shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk i ndihmon paqes e stabilitetit”.

“E vetmja mënyrë për të vendosur stabilitetin në Kosovë, është zbatimi i Planit 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm”
, tha Tadiqi.

Akuzat e presidentit serb u hodhën poshtë nga shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni.

Lidhur me incidentin e së premtes dhe vdekjen tragjike të pediatrit boshnjak, kryediplomati Hyseni tha:

“Hetimi po ecën mirë. Ajo që mund të them është se ato granata dore mund të jenë hedhur nga brenda turmës, nga vetë protestuesit".


Skënder Hyseni
Ndërkohë, Hyseni para Këshillit të Sigurimit solli përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i integruar të gjitha bashkësitë etnike duke respektuar shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut.

Hyseni nënvizoi faktin se politika e Beogradit po punon kundër stabilitetit të Kosovës e rajonit dhe, para së gjithash, kundër vetë serbëve të Kosovës.

“Është një thirrje që unë besoj se do të jetë dhe duhet të jetë shumë e dobishme. Ajo është për Beogradin, që të ndalojë me manipulimin e dëmshëm të serbëve të Kosovës”,
theksoi Hyseni.


Nga ana tjetër, deklaratat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanier, dhe kreut të EULEX-it, Iv de Kermabo, ishin para së gjithash përmbledhje e rrjedhës së ngjarjeve të 2 korrikut, por dhe të 5 korrikut, kur u plagos deputeti i Kosovës, Petar Miletiq.

Shefi i EULEX-it tha se Policia e Kosovës po heton profesionalisht rastin dhe ka asistencën e plotë të misionit evropian. Kermabo theksoi se misioni që ai drejton ka pranuar ftesën për bashkëpunim në hetime nga Beogradi.

Kermabo i ka cilësuar spekulime akuzat e publikuara në media për ngjarjet e së premtes.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të KS-së në deklaratat e tyre dënuan dhunën, por patën qasje të ndryshme lidhur me zhvillimet në Kosovë.

Franca, Britania e Shtetet e Bashkuara nënvizuan përpjekjet e Qeverisë së Kosovës dhe kundërshtuan politikat e Beogradit.

Rusia dhe Kina, vende anëtare të përhershme në Këshill të Sigurimit mbrojtën qëndrimin e Beogradit, duke nënvizuar nevojën për bisedime shtesë për zgjidhjen e statusit.

Këto kërkesa u hodhën poshtë nga Kosova dhe vendet perëndimore.
... çdo dhunë apo akt provokues nga demonstruesit është i papranueshëm!


Përfaqësuesi amerikan deklaroi:

“Është për të ardhur keq se përpjekjet e Qeverisë së Kosovës t’i ndihmojë ata që janë në nevojë në veri, u dëmtuan nga përpjekjet për ta politizuar situatën dhe e destabilizuan situatën në veri. Duhet të them se çdo dhunë apo akt provokues nga demonstruesit është i papranueshëm
”.