Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, duket se kanë shtuar kujdesin në veprimet për kthimin e gjykatësve vendorë në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës.
Bisedat ndërmjet këtyre mekanizmave thuhet se janë duke vazhduar, por se ka shqetësime sa i përket sigurisë së dy gjykatësve të nacionalitetit serb - nga katër sa janë propozuar të kthehen sërish në objektet e gjykatës së Qarkut në veri të vendit.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, shfaqi shpresën që në kah mesi i këtij muaji të ketë lëvizje konkrete lidhur me kthimin e gjykatësve vendorë në gjykatat në veri të Kosovës.
Janë disa shqetësime sa i përket sigurisë së gjyqtarëve të nacionalitetit serb, në kuptimin e asaj se sa do të jenë të pëlqyer nga komuniteti i tyre.
“Bisedat janë ende në vazhdim e sipër. Janë disa shqetësime sa i përket sigurisë së gjyqtarëve të nacionalitetit serb, në kuptimin e asaj se sa do të jenë të pëlqyer nga komuniteti i tyre”.
“Ende nuk ka diçka përfundimtare, mirëpo sipas bisedave që kemi pasur, ndoshta kah mesi i këtij muaji do të mund të veprojmë diçka në atë drejtim”, u shpreh ai.
EULEX-i nuk ka dashur të komentojë çështjen e kthimit të punonjësve të drejtësisë në gjykatat në veri, por ka theksuar se po punohet në këtë drejtim deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
Bisedimet që EULEX-i po i vazhdon me autoritetet përgjegjëse përfshijnë dhe shtetin serb, përfaqësues të të cilit, ditë më parë, paralajmëruan destabilizimin e situatës në Mitrovicë, në rast të kthimit të gjykatësve shqiptarë e serbë në Gjykatën e Qarkut në pjesën veriore të këtij qyteti.
Ish-ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Nekibe Kelmendi, tha se Beogradi nuk do të duhej të ishte faktor në çështjen e kthimit të gjykatësve vendorë në gjykatat në veri të vendit.
“Nuk ka arsye të pritet pajtimi i Beogradit, sepse ne nuk jemi pjesë e Beogradit. Ne jemi shtet i pavarur. Ne vendosim vetë për gjyqësorin tonë. Kryesisht edhe sipas Kushtetutës është i garantuar një sistem unik gjyqësor për tërë territorin e Kosovës”, tha Kelmendi.
Kelmendi shtoi se autoritetet përgjegjëse për këtë çështje janë vonuar në rifunksionalizimin e sistemit të drejtësisë në veri.
Ajo theksoi nevojën për veprime sa më të shpejta në këtë drejtim, por tha se gjykatat në veri duhet të funksionojnë në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, e jo nën ombrellën e misionit EULEX.
“Kam shqetësime se nëse do të jenë nën EULEX-in, ajo po i ngjet një fragmentarizmi të sistemit gjyqësor të Kosovës”, theksoi Kelmendi.
Punonjësit e gjykatave në veri të Kosovës qenë larguar nga objektet e këtyre institucioneve pas protestave të dhunshme të serbëve pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Ato u rifunksionalizun pjesshëm me vendosjen e misionarëve evropianë, të cilët në muajin mars të vitit të shkuar zhvilluan seancën e parë gjyqësore, që nga ndërprerja e punës në ato gjykata.