Opozita ndërmerr aktivitete kundër Qeverisë

Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie. (Foto nga arkivi)

Opozita maqedonase, përmes një tubimi para Qeverisë, do të shprehë qëndrimet e saj kundër politikës qeveritare në planin e integrimit dhe zhvillimit ekonomik. Analistët thonë se me këtë veprim, opozita dëshiron të matë fuqinë e saj te zgjedhësit.


Bllokimi i integrimit euroatlantik dhe ekonomia e dobësuar janë temat në të cilat do të përqendrohet opozita në tubimin para Qeverisë dhe për të cilat fusha mendon se ofron zgjidhje dhe alternativa më të mira politike, sesa Qeveria.

Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, deklaroi se thirja e opozitës për t’iu bashkëngjitur radhëve të saj, i është drejtuar të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike apo politike.

Përgjithësisht, është zgjedhur momenti për të mbajtur protestë, për shkak të ngjarjeve që ndodhin, e më së shumti për shkak të gjendjes financiare, e shoqëruar me mosmarrjen e datës për negociata me Bashkimin Evropian, edhe pse kjo Qeveri u zgjodh për të qeverisur me vendin në katër vjet - mandat për ta përmirësuar ekonomikisht jetën e qytetarëve”, tha Zaev.

Tubimin e mbështesin edhe partitë tjera të frontit opozitar, ndërsa e bojkoton Partia Liberal-demokratike e opozitës, e cila nuk pajtohet me politikën e kryetarit të Lidhjes Socialdemokrate, Branko Cërvenkovski.

Qeveria e Maqedonisë
Analisti politik, Artan Sadiku, tha se opozita duhet të ndryshojë strategjinë e veprimit të saj politik.

“Për t’u bashkuar qytetarët rreth opozitës, duhet të ketë një strumbullar apo një ide të re politike, rreth së cilës duhet të bashkohen”, theksoi ai.

Sa u përket efekteve që mund të dalin nga tubimi, analisti politik, Zdravko Savevski, tha se ky është një tentim që të shihet disponimi politik i qytetarëve.

“Opozita, gjithë veprimin e saj e ka zhvilluar në kundërshtim apo si reaksion ndaj politikave qeveritare dhe ka dështuar të japë modelin e vet të ndryshëm nga modeli i qeverisë së tanishme”.

“Sfida e dytë është koha, prandaj opozita fuqimisht duhet të jetë e vendosur që të ndryshojë në ideologjinë e saj politike dhe për një ndryshim të këtillë i duhet të ketë më shumë kohë”.

“Opozita paraqitet me qëllim që ta matë mbështetjen e saj dhe ta shprehë pakënaqësinë që ka ndaj politikës së Qeverisë në planin politik, të integrimit dhe në atë ekonomik”,
tha Savevski.

Pas katër vjetësh, që kur në pushtet është VMRO-DPMNE-ja, opozita maqedonase organizon tubimin e saj të parë kundër Qeverisë.

Social-demokratët kritikojnë Qeverinë për përhapjen e varfërisë ekonomike, për shkelje të demokracisë, shkelje të të drejtave të njeriut dhe për mungesë të lirisë së mediave dhe të sektorit joqeveritar.