Analistët në Tiranë thonë se kriza politike mund të zgjidhet shumë shpejt, por, sipas tyre, mungon vullneti dhe gatishmëria e palëve. Ata, megjithatë, e përjashtojnë mundësinë e rikthimit të protestave të opozitës në rrugë.
Analistët i vënë afat zgjidhjes së krizës politike në vend. Do të mjaftonin dy minuta që palët t’i jepnin fund kalvarit të gjatë të mosmarrëveshjeve që prej 28 qershorit, 2009.
E thënë kështu tingëllon e lehtë, por në këtë rast i gjithë procesi kalon nëpërmjet vullnetit politik, çfarë analistët thonë se mungon ende.
Ja pse analisti Sokol Balla mendon se kriza ka akoma shanse të zgjidhet.
Kjo nuk është një krizë e importuar, kjo është një krizë ‘made in Albania’... Nuk mendoj se është një zgjidhje që mund të gjendet nga ndërkombëtarët...
“Kjo nuk është një krizë e importuar, kjo është një krizë ‘made in Albania’, e shkaktuar nga faktorët politikë shqiptarë. Sigurisht që kjo zgjidhje ekziston dhe të zgjidhet pikërisht nga ata që e kanë shkaktuar”.
“Nuk mendoj se është një zgjidhje që mund të gjendet nga ndërkombëtarët, të cilët treguan mungesë vullneti, dëshire e deri diku edhe respekti për faktorët politikë dhe opinionin publik shqiptar, me qëndrimin e tyre të paekuilibruar në krizën politike shqiptare. Unë mendoj se kjo është një krizë që zgjidhet në 120 sekonda”, thotë Balla.
Në politikë kurrë mos thuaj kurrë, thotë analisti Alfred Peza, duke iu referuar një shprehjeje të vjetër sa politika.
“Thjesht, është çështje kohe dhe jo pamundësie. Problemi është që mungon vullneti politik i të dyja palëve për ta zgjidhur atë. Jo më larg se në seancën e fundit të Parlamentit shqiptar, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike tha se nëse merret seriozisht, kjo krizë zgjidhet për dy minuta”.
“Zgjidhjen e ka dhënë ligji; hapen kutitë e materialeve zgjedhore dhe bëhet transparenca. Është kaq e thjeshtë”, thotë Peza.
Por, Balla i sheh zhvillimet në një tjetër drejtim, kur thotë se në vijim do të shihet një luftë e fortë parlametare e opozitës, duke bojkotuar seancat me vendimmarrje të rëndësishme.
“Sigurisht, do të jetë e vështirë për lidershipin e majtë. Do të ketë një problem për lidershipin e majtë t’i ftojë njerëzit sërish në rrugë. Unë nuk mendoj se do të ndodhë kjo”.
“Unë mendoj se do të ndeshemi me një fazë të re të të bërit opozitë, kësaj radhe në Parlament. Parlamenti po futet në një sezon të ri, ku shumë nga punimet e tij do të bllokohen”, thotë Balla.
Zhvillimet qartë do të reflektohen në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Pjesëmarrja ose jo e opozitës mbeten ende opsione të paqarta për sa kohë që situata politike të mos marrë zgjidhje.
Analisti Peza thotë se mospjesëmarrja do të ndëshkonte vetë Partinë Socialiste.
Çdo opozitë, sidomos një opozitë si Partia Socialiste, e cila ka 45% të përfaqësimit në Parlament, është e dënuar të marrë pjesë në zgjedhje dhe as që duhet ta çojë ndërmend mospjesëmarrjen në zgjedhje....
“Çdo opozitë, sidomos një opozitë si Partia Socialiste, e cila ka 45% të përfaqësimit në Parlament, është e dënuar të marrë pjesë në zgjedhje dhe as që duhet ta çojë ndërmend mospjesëmarrjen në zgjedhje”.
“Thjesht, deklaratat që lënë të kuptohet për mospjesëmarrje në zgjedhje, e dëmtojnë vetë opozitën, vetë Partinë Socialiste, sepse kjo i dekurajon të gjithë mbështetësit, simpatizantët e saj”, shprehet Peza.
Për analistin Balla, futja e Partisë Socialiste në zgjedhje, pa marrëveshje paraprake, do t’ia vështirësonte pozicionin, pasi do të bëhej pjesë e një procesi, ku rregullat i vendos po ajo mazhorancë që organizoi zgjedhjet e 28 qershorit.
“Unë nuk e shoh te rrezikimi i PS-së, sa e shoh te rrezikimi i procesit politik normal dhe i prishjes së rregullave të lojës, që sipas opozitës kanë nisur nga mazhoranca”.
“Sigurisht që edhe vazhdimi i kësaj logjike është gabim, por, të paktën, ky është argumenti i opozitës. Do të sjellë si pasojë reagimin e saj, që do ta ketë shumë të vështirë t’i bindë mbështetësit e vet dhe opionion publik, në rast se do të pranonte të futej në zgjedhje, të organizuara nga e njëjta qeveri, që organizoi zgjedhjet e 28 qershorit”, thotë Balla.
Lexoni edhe këtë:
Analistët: Opozita në Shqipëri - e paparashikueshme