Aksionet e Fondit të Trustit Pensional të Kosovës kanë shënuar rënie për 4.19 për qind. Sipas zyrtarëve të Trustit, në rënien e vlerës së aksioneve ka ndikuar kriza buxhetore në Greqi. Kjo rënie vjen pas performancës së mirë që ka pasur ky fond gjatë vitit 2009.
Gjatë muajit të kaluar aksionet e Fondit të Trustit Pensional të Kosovës kanë shënuar rënie për 4.19 për qind, ose shprehur në vlerën monetare 17.2 milionë euro, thotë Agron Krasniqi, zëvendësdrejtor i Trustit Pensional të Kosovës.
Krasniqi thotë se rënia e vlerës së aksioneve vjen pas një ngritjeje që ka pasur Trusti gjatë muajit prill, në vlerë prej 12 milionë eurosh.
“Në tregjet ndërkombëtare kjo rënie është reflektuar mbi 10 për qind, ndërsa në aksionet e trustit ka pasur një pjesëmarrje prej 4.19 për qind. Kurse, që nga fillimi i vitit, rënia e vlerës së aksioneve është 1.18 për qind, apo shprehur në vlerë monetare është 3.8 milionë euro”.
“Për shkak se në katër muajit e parë të këtij viti kthimi ka qenë mjaft pozitiv - mbi 3 për qind, por fatkeqësisht muaji maj, ka qenë një muaj mjaft i keq; e ka amortizuar këtë rritje dhe i ka kthyer këto shifra negative për vitin 2010”, thotë Krasniqi.
Krasniqi shpjegon se në rënien e vlerës së aksioneve, ka ndikuar kriza buxhetore në Greqi dhe sinjalet e shumë shteteve evropiane që ndodhen para krizave buxhetore financiare.
“Kryesisht, janë kriza në shumë vende të Evropës që, faktikisht, janë paraqitur të dobëta dhe ndoshta nga investitorët potencialë janë parë se ato nuk mund t’i kthejnë detyrimet që i kanë ndaj kreditorëve të tyre”.
“Por, në këtë rrugë, investitorët e kanë frikën që gjenden edhe shumë shtete tjera, siç është Spanja, Italia, Portugalia e kështu me radhë. Pra, këto kanë qenë arsyet kryesore që i kanë shtyrë tregjet ndërkombëtare të kenë një rënie kaq të madhe për muajin maj”, shpjegon Krasniqi.
Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë kritikuar politikat investuese të Trustit, për shkak të plasimit të mjeteve në institucionet financiare ndërkombëtare.
Alban Zogaj, nga Instituti RIINVEST, duke pranuar se rënia e vlerës së aksioneve të Trustit ka ndodhur për shkak të krizave në tregjet ndërkombëtare, megjithatë ai pohon se bordi i Trustit duhet të jetë shumë i kujdesshëm në investimet e tij.
Zogaj thekson se bordi udhëheqës i Trustit, para se të marrë vendime për plasim të mjeteve, duhet të ketë parasysh krizat financiare në tregjet evropiane, ndërsa, sipas tij, duhet të vlerësohet edhe sistemi bankar në Kosovë.
“Trusti Pensional, fondet që i mbledh në Kosovë, i investon në bursat më të mëdha botërore dhe normalisht se çdo lëvizje e aksioneve në ato bursa, do t’i ketë efektet e veta edhe në kapitalin e Trustit Pensional të Kosovës”, thekson Zogaj.
Por, Agron Krasniqi thotë se në bankat që veprojnë në Kosovë, bordi udhëheqës i Trusti ka deponuar mbi 21 milionë euro kursime të kontribuuesve në trust.
Nga kjo shumë, në fillim të këtij viti, ky institucion ka deponuar 10 milionë euro në një nga bankat kosovare, përderisa në të njëjtën periudhë, afër 60 milionë euro shtesë ka deponuar te menaxhuesit aktualë të mjeteve, në institucionet financiare ndërkombëtare.
Ndryshe, Trusti i Kursimeve Pensionale aktualisht menaxhon afër 407 milionë euro, me mbi 315 mijë kontribuues.
Lexoni edhe këto: Pse nuk kthehen fondet në Kosovë?
Bie vlera e aksioneve të Trustit