Kosova do t’i plotësojë të gjitha kushtet teknike që më 2011 të përfshihet në liberalizimin e vizave, tha ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi. Ai shprehu besim se raporti i radhës i progresit, do të jetë më pozitiv sesa ai paraprak.
Qeveria e Kosovës shpreson se sivjet, Komisioni Evropian do të njohë shumë të arritura në plotësimin e kritereve të parapara në kuadër të raportit të progresit. Raporte e tilla i shërbejnë Brukselit si instrument matës lidhur me përparimet e vendeve që aspirojnë të përfshihen në kuadër të proceseve integruese.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha të premten para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri se Kosova ka shënuar të arritura në menaxhimin kufijve, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Andaj, sipas tij, Komisioni Evropian do t’i ketë parasysh këto të arritura.
“Sa i përket krimit dhe korrupsionit, përveç që shihet një dinamikë e shtuar, çdo ditë kemi, jo numër të arrestimeve, por të rasteve që janë hetuar një kohë më të gjatë, janë kërkuar që ato të konkretizohen dhe këtu nuk ka kompromis. Rezultatet janë shumë më inkurajuese këtë vit sesa vitin e kaluar”, u shpreh Rexhepi.
Ministri Bajram Rexhepi u zotua para deputetëve se Kosova do të jetë e gatshme teknikisht edhe për procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërkohë, kërkoi nga Parlamenti t’i përshpejtojë procedurat e rishqyrtimit të Ligjit për ripranim, si kusht për nënshkrimin e marrëveshjeve me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.
“Ne do t’i plotësojmë kushtet teknike dhe mendojmë se me një vullnet të Komisionit Evropian dhe me një punë aktive tonën, shpresojmë se edhe ne në vitin 2011 do të kemi liberalizimin e vizave, si vendi i fundit në rajon”, theksoi Rexhepi.
Derisa inkurajuan Qeverinë të vazhdojë me plotësimin e kritereve evropiane, deputetët janë interesuar në lidhje me vendosjen e ligjshmërisë në vend.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, kërkoi sqarime në lidhje me targat e automjeteve të ish-sistemit jugosllav dhe atij serb, që ende qarkullojnë lirshëm në Kosovë.
“Ka një numër të madh të veturave që shëtisin natën e ditën, duke përfshirë Kamenicën, Prishtinën, Gjilanin me tabela të ish-periudhës së Millosheviqit, me ‘UR’, ‘PR’, ‘MT’,’GL’ etj... Këto janë mjete që i ikin buxhetit të Kosovës dhe kur do të përfundojë kjo çështje?”, shtroi pyetjen Demaliaj.
Ministri Bajram Rexhepi pranoi se këto automjete regjistrohen në Graçanicë dhe në vende të tjera të banuara me serbë, por premtoi se brenda gjashtë muajsh do të ndalohen të gjitha automjetet me targa të vjetra dhe se regjistrimi i automjeteve me targa KS do të fillojë shumë shpejt.
“Ne e kemi lëvizjen e lirë, vijnë me tabela të Beogradit, Kralevës dhe nuk bëjmë kurrfarë pengesa, por tabela nga qytete të Kosovës me emërtime të vjetra nuk do të ketë”.
“Mirëpo, këtë do ta bëjmë në harmoni me faktorin ndërkombëtar, në një afat optimal tre deri në gjashtë muaj, që mendojmë se është mjaft”, tha Rexhepi.
Ngecjet kryesore në zhvillimin e shtetit të Kosovës, që janë identifikuar në raportin e vitit të kaluar të Komisionit Evropian, kanë të bëjnë me prokurimin publik, mungesën e reformave në drejtësi, si dhe shkallën e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe mungesën e sundimit të ligjit në veri të Kosovës.