Raporti i progresit apo i regresit?

Bruksel

Autoritetet kosovare kanë vendosur të rrisin intensitetin e punës, lidhur me realizimin e rekomandimeve të dala nga Raporti i Fundit i Progresit të Komisionit Evropian. Opozita, ndërkaq, ka vlerësuar se puna e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim ishte dashur të niste muaj më parë. Drafti i parë i Raportit të Progresit për Kosovën pritet të jetë gati kah mesi i këtij muaji.

Pak ditë para përmbylljes së draftit të parë të raportit të sivjetmë të progresit të Komisionit Evropian, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje anëtarëve të kabineteve të tij qeveritare, që të shtojnë intensitetin e punës dhe t’i koordinojnë veprimet me Ministrinë e Integrimeve, në mënyrë që, siç tha ai, në vjeshtën e këtij viti, Prishtina zyrtare të ketë një raport sa më preciz nga ana e Bashkimit Evropian.

Në mbledhjen e pestë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku kanë marrë pjesë edhe kryeprokurori i Kosovës dhe ai i Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryeministri Thaçi ka theksuar rëndësinë për përmirësimin e gjendjes në marrëdhëniet ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit të vendit, në zbatimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane dhe në vendosjen e një sistemi monitorues për zbatimin e këtyre reformave.

“Gjatë muajve në vazhdim është me rëndësi fundamentale që secili institucion i juaji të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Integrimeve, në mënyrë që të kemi një raport të brendshëm të progresit, i cili do të jetë shumë preciz - si në vlerësimin e progresit, ashtu dhe në identifikimin e sfidave, mangësive dhe çështjeve të tjera të hapura nga institucionet dhe aktorët përgjegjës në adresimin e secilës prej tyre”,
ka deklaruar Thaçi.

Ministri i Integrimeve, Besim Beqaj, ka bërë të ditur se deri me datën 15 të këtij muaji, pala kosovare do të ketë kohë për t’ia dorëzuar Komisionit Evropian raportin e punës për arritjet e deritashme.

Beqaj ka thënë se institucionet kosovare do ta përgatisin një raport tjetër, të cilin do t’ia dorëzojnë Komisionit Evropian deri më 1 tetor.

Në këtë dokument, sqaron Beqaj, parashihet të përfshihen edhe zhvillimet e seancës plenare të dialogut të procesit të stabilizim-asociimit, që do të mbahet më 6 korrik.

“Ky takim do të fokusohet në reformën e administratës publike, në reformën e sundimit të ligjit, reformën e gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit, aspekte nga fusha e liberalizimit të vizave, siç janë me theks të veçantë, ligji për ripranim dhe marrëveshjet për ripranim dhe riintegrimi i personave të riatdhesuar, e, normalisht, bashkëpunimi me EULEX-in dhe tema të tjera”
, sqaron Beqaj.

Sundimi i ligjit, prokurimi publik, mungesa e reformave në drejtësi, shkalla e lartë e korrupsionit, krimit të organizuar dhe mungesa e sundimit të ligjit në veri të Kosovës, në raportin e fundit të progresit ishin përmendur si ngecjet kryesore të autoriteteve në Kosovë.

Përfaqësuesja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Domenika Domani, ka thënë se në raportin e ardhshëm të progresit nuk do të merren parasysh strategjitë, planet e dokumentet e tjera, po qe se ato nuk janë zbatuar deri më tani.

“Ne nuk do t’i shikojmë draftet apo planet, por do të shikojmë se çfarë në të vërtetë është bërë gjatë kësaj periudhe
”, ka theksuar Domani.

Opozita kosovare, ndërkaq, e ka vlerësuar të vonuar iniciativën e qeverisë për intensifikimin e punës në fushat që lidhen me raportin e progresit.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka thënë se ka pasur përkeqësim të gjendjes në shumë fusha.

“Për, të paktën, tre muaj është vonuar kryeministri i Kosovës. Raporti i fundit ka përmendur sfida në administratën publike; kemi përkeqësim. Është folur për tenderët njëburimorë - kanë vazhduar tenderët njëburimorë, aferat korruptive dhe hetimet e EULEX-it. Situata në veri nuk ka shënuar përparim, përkundrazi kemi pasur zgjedhjet e Serbisë në atë territor”,
është shprehur Arifi.

Në raportin e progresit për vitin 2009, Komisioni Evropian pati përmendur për herë të parë ekzistimin e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe mungesën e shtrirjes së autoritetit shtetëror në tërë territorin e vendit.

Po ashtu, kërkohej thellimi i bashkëpunimit në mes të Prishtinës zyrtare dhe misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Lexoni edhe këtë: Sfidat e raportit të progresit