Kryeqyteti i Kosovës është ngulfatur me ndërtime pa leje, mbindërtime e mbipopullim. Prishtina po vazhdon të degradohet pa shije, e pa rregulla të caktuara që kanë të bëjnë me kualitetin e jetës dhe kjo ka bërë që qytetarët të ndihen të ngulfatur, thotë Donjeta Bala, qytetare.
“Mendoj që Prishtina nuk ka kapacitet për numrin e banorëve, të cilët aktualisht janë banorë permanent të Prishtinës. Ndërtimet e egra po e ngufasin kryeqytetin, duke mos lënë hapësira të gjelbëruara”, shprehet kjo qytetare.
Ajo thotë se Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk po funksionon si duhet, duke pasur parasysh gjendjen kaotike.
“Nëpër lagje ku ka vetëm shtëpi, në mes të atyre shtëpive, gjendet vetëm një ndërtesë 12-katëshe. Prandaj, mendoj që komuna nuk po funksionon si duhet, përderisa ka këso lloj parregullsish”, tregon qytetarja Donjeta Bala.
Ndërkaq, Muhamet Gashi, zyrtar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë se sa i përket degradimit urban të qytetit, kjo ka ndodhur në 10 vjetët e paraluftës, si dhe 3 vjetët e para të pasluftës.
“Në vitin 2004 komuna ka miratuar një plan strategjik zhvillimor, ku janë nxjerrë edhe 13 plane rregulluese që miratojnë çështjen urbane të kryeqytetit, me ç’rast kanë filluar të pajisen qytetarët me leje ndërtimi”, thotë Gashi.
Por, Eliza Hoxha, arkitekte, konsideron se nëse flasim për Prishtinën si strukturë fizike, atëherë kjo reflekton një gjendje shumë të ndërlikuar shpirtërore edhe të vetë njerëzve, qoftë atyre që kanë jetuar këtu me vite të tëra, apo edhe atyre që kanë ardhur në kohën e pasluftës.
“Ajo që duket qartë është se ky qytet po vazhdon të degradohet në aspekt të ndërtimeve, pa rregulla të caktuara, që kanë të bëjnë me kualitetin e jetës. Është e rëndësishme që të bëhet një incizim i tërësishëm, në mënyrë që të kategorizohen llojet e ndërtimeve pa leje”, vlerëson Hoxha.
Ndërsa, sipas Gashit, Kuvendi Komunal tashmë ka miratuar rregulloren për trajtimin e objekteve pa leje, ku parashihen legalizimi ose jo legalizimi i objekteve.
Në bazë të planit, objektet që mund të inkorporohen në plane rregulluese, do të legalizohen, duke paguar taksa dhe një dënim që është caktuar nga komuna për ndërtim pa leje.
“Për të gjitha objektet, që bien ndesh me planin rregullues, mund të vijë deri te rrënimi i tyre”, deklaron Gashi.
Në anën tjetër, arkitektja Hoxha thotë se për të dalë nga kjo gjendje, ekzistojnë disa mundësi. Sipas saj, duhet të ndryshojë qasja e komunës në nivel të qeverisjes lokale; të këtë një prerje kohore se kjo që ka ndodhur deri tash, duhet të trajtohet dhe tash e tutje të ndërtohet gjithçka në bazë të ligjit që tashmë është në fuqi dhe një strategjie që do të merret me ndërtimet që do të bëhen pas kësaj prerje kohore.
Por, sipas Hoxhës, edhe qytetarët kanë një vetëdije të ulët:
“Vetëdija e ulët qytetare, e cila lirinë dhe demokracinë e kupton në gllabërim të gjithçkaje që ia do qejfi, duke mos jetuar konform një barazie, që nënkupton një vijë ku nuk e cenon qetësinë dhe lirinë e dikujt tjetër".
Aktualisht, në Prishtinë janë rreth 5 mijë ndërtime dhe 350 mbindërtime pa leje. Sipas Gashit, Komuna është duke planifikuar t’i qaset seriozisht kësaj dukurie, derisa inspektorët janë në terren çdo ditë dhe, sipas tij, numri i ndërtimeve pa leje ka rënë dukshëm.