Përfaqësues të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë, ata të partive politike opozitare, të Parlamentit të vendit dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, zhvilluan takimin e parë të Grupit punues për ndryshimin e legjislacionit për zgjedhjet në Kosovë.
Çështjet teknike, siç janë procesi i vendimmarrjes, përbërjes dhe aktiviteteve, ishin temat qendrore të takimit të parë të Grupit punues për ndryshimin e legjislacionit për zgjedhje.
Kërkesa për reforma zgjedhore në Kosovë u bë më e zëshme pas zgjedhjeve të fundit lokale në vend, të cilat u karakterizuan nga një varg komplikimesh dhe paqartësish procedurale.
Shefi i OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer, tha se krijimi i një procesi më të thjeshtëzuar zgjedhor do të jetë i rëndësishëm për punën e ardhshme të autoriteteve përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë.
“Qëllim i përbashkët, sa po kuptoj unë, duket të jetë krijimi i një procesi më stabil, më të qëndrueshëm dhe më të thjeshtë, i cili përputhet me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe që siguron integritetin e procesit”.
“Një proces i thjeshtëzuar është i nevojshëm për të mundësuar menaxhimin e qëndrueshëm të aktiviteteve zgjedhore nga Komisioni Qendror Zgjedhor - në mënyrë të pavarur nga ndihma ndërkombëtare”, tha Almhofer.
Përveç zyrtarëve të OSBE-së, në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadave të huaja në vend, ata të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, përfaqësues të shoqërisë civile, ata të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të partive politike në pushtet dhe të atyre opozitare.
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, tha se duhet të shqyrtohet prania e tre përfaqësuesve nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët, ndonëse me mandate të ndryshme, sipas tij, mund të ndikonin në procesin e mëvonshëm vendimmarrës gjatë ndryshimeve në ligjet për zgjedhje.
“Këtu kemi përfaqësues edhe të partive politike, që përfaqësojnë drejtpërdrejt partitë politike, por, po ashtu, nga të njëjtat parti politike kemi edhe anëtarë që vijnë në role të tjera”, theksoi Makolli.
Mirëpo, anëtari i Grupit punues nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramë Manaj, theksoi rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit aktual për zgjedhjet në Kosovë, duke mos përjashtuar mundësinë e ndryshimeve eventuale që kanë të bëjnë me përfaqësimin e partive politike në këtë grup.
“Të fokusohemi më shumë në qëllimin që është i përbashkët, në këtë kontekst - i të gjithëve dhe besoj se, në qoftë se do të nisemi nga kjo qasje, do të kemi gati gjithmonë pajtueshmëri të plotë, konsensualitet në marrjen e vendimeve. Megjithatë, mbetet për t’u diskutuar edhe për vendimmarrje gjithçka që duket dhe prezantohet si e nevojshme dhe e dobishme”, tha Manaj.
Pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit të shkuar, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë u kishte rekomanduar autoriteteve kosovare disa ndryshime në procesin zgjedhor.
Raporti i përpiluar nga misioni i ekspertëve të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian sugjeronte që të thjeshtësohej procesi elektoral në Kosovë dhe duke hequr votimin me kusht, dispozitën në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme për gjobitjen e vëzhguesve zgjedhorë deri në 200 mijë euro dhe duke thjeshtëzuar procesin e ankesave dhe parashtresave.
Sipas përfaqësuesit të AKR-së, Ibrahim Makolli, duhet të shqyrtohet mundësia edhe e ndryshimit të sistemit elektoral në vend.
“Insistimi ynë është që ky Grup punues të bisedojë edhe për sistemin zgjedhor si tërësi. Natyrisht, duhet edhe një pajtim politik i subjekteve politike, por jo vetëm i subjekteve politike, sepse sistemi zgjedhor dhe zgjedhjet nuk janë pronë vetëm e partive politike – ato janë pronë e të gjithë qytetarëve të vendit”, u shpreh Makolli.
Në takimin e Grupit punues për ndryshimin e legjislacionit për zgjedhje në Kosovë, u theksua edhe nevoja për përcaktimin e kornizës kohore, brenda së cilës mund të bëhen ndryshimet në ligjet për zgjedhje.
Në vitin 2011, në Kosovë pritet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme.