Kermabo: Hetimet në MTPT, vetëm fillimi...

  • Augustin Palokaj

Iv de Kermabo


Shefi i misionit të EULEX-it, gjenerali Iv de Kermabo, tha sot në paraqitjen e tij para Parlamentit Evropian, se EULEX-i është i vendosur që t’i hetojë rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë, pa marrë parasysh se për kë është fjala dhe pa lejuar ndërhyrje politike.

Kermabo tha se hetimet në Ministrinë e Transportit janë vetëm fillimi dhe se këto hetime do të shkojnë deri në fund.

Ai, në paraqitjen e tij, lavdëroi përkushtimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të qenë në krye të luftës kundër korrupsionit, por, siç u shpreh, kryeministri Thaçi pret mbështetje edhe nga Brukseli, pasi që ai ndjen se kohëra të vështira janë përpara.

Shefi i misionit të EULEX-it u ankua në Bruksel edhe për faktin se shtetet anëtare nuk po kontribuojnë sa duhet me dërgimin e ekspertëve të tyre, sidomos sa u përket prokurorëve dhe gjykatësve, por tha se misioni i EULEX-it, sidoqoftë, është mjaft funksional dhe se po funksionon në tërë territorin e Kosovës.

Kermabo nënvizoi se sfida të mëdha janë edhe në veri të Kosovës, mirëpo edhe atje punët janë duke u përmirësuar dhe rendi e ligji janë duke u vendosur gradualisht.

Si dëshmi për këtë, ai tha se niveli i kontrabandës në veri të Kosovës është zvogëluar për 80 për qind dhe se këtë e kanë pranuar edhe zyrtarët e Doganave të Kosovës.

Veriu i Kosovës ishte shndërruar në një lloj të zonës padoganore, tha Kermabo, dukе theksuar se nga kjo humbeshin në buxhet rreth 2 milionë euro në javë.

Shefi i misionit të EULEX-it po ashtu nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është gjithsesi detyrë parimore e autoriteteve të Kosovës, mirëpo edhe EULEX-i ka fuqi ekzekutive në këtë drejtim, prandaj këtë luftë kundër kësaj dukurie duhet shikuar si një partneritet të kosovarëve dhe të EULEX-it.

Ky debat është zhvilluar në nënkomitetin për siguri dhe mbrojtje, të kryesuar nga deputeti Arnold Dan Zhan nga Franca.

Dan Zhan, duke e hapur këtë debat, theksoi se misioni i EULEX-it në Kosovë është misioni i parë i këtij lloji dhe se ai e di, pasi që ka marrë pjesë edhe në negociatat për statusin e Kosovës si diplomat francez, se ky rol i BE-së ishte gjithsesi i sigurt, pa marrë parasysh se cili do të ishte statusi i Kosovës.

Ballkani për ne po mbetet një lloj laboratori i politikës së sigurisë dhe i politikës së jashtme, tha Dan Zhan.

Deputetja Ulrike Lunacek, që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, theksoi se është mirë që EULEX-i ka filluar më në fund të tregojë rezultate në punën e tij dhe shprehu bindjen se kjo do të vazhdojë deri në fund dhe që EULEX-i, siç u shpreh ajo, nuk do të lejojë ndërhyrje politike nga askush.

Këto hetime duhet të shkojnë deri në fund, sepse populli pret shumë nga EULEX-i dhe, siç tha ajo, kjo u dëshmua dhe nga qytetarët, kur ajo kishte vizituar Kosovën.

Kudo që shkoja, shihja në Kosovë një mbështetje për punën e EULEX-it, sepse edhe kosovarët duan që shoqëria e tyre të funksionojë sipas normave evropiane, tha Lunacek.