Sfidat e raportit të progresit

Komisioni Evropian pritet që më 15 qershor të paraqesë draftin e parë të raportit të progresit për Kosovën. Qeveria pret që raporti të jetë më pozitiv sesa ai paraprak, ndërsa nga Komisioni Parlamentar për Integrime thonë të kundërtën.


Qeveria e Kosovës pret nga Komisioni Evropian që sivjet të paraqesë një vlerësim më pozitiv në raportin e progresit, i cili njihet edhe si pjesë e instrumenteve matëse për zhvillimin e vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.

Derisa ministri i Integrimeve në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj, po qëndron në Bruksel për të diskutuar përmbajtjen e këtij raporti dhe çështjen e liberalizimit të vizave, zyrtarët e lartë qeveritarë në Prishtinë thonë se mesazhet nga Brukseli tregojnë se raporti i progresit i këtij viti do të jetë më pozitiv, krahasuar me vitin paraprak.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se drafti i parë i këtij raporti do të përmbyllet më 15 qershor, ku do të përfshihen përparimet dhe sfidat e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Drafti i parë dërgohet më 15 qershor, do të thotë për pritjet e para që i ka dhënë Komisioni Evropian dhe ato që ne më pas i dërgojmë nga dikasteret, e pastaj si Qeveri në tërësi. Por, mos harroni që raporti i progresit përveç Qeverisë, përfshin edhe agjencitë e pavarura, sistemin e drejtësisë dhe tërë qeverisjen në Kosovë”.

“Në këtë drejtim, unë besoj që ministri për Integrime është duke i bërë koordinimet e duhura dhe jam i bindur se raporti i progresit për këtë vit do të jetë shumë më i mirë sesa vitin e kaluar”
, thotë Kuçi.

Ngecjet kryesore në zhvillimin e shtetit të Kosovës, që janë identifikuar në raportin e vitit të kaluar, kanë të bëjnë me prokurimin publik, mungesën e reformave në drejtësi, si dhe shkallën e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe mungesën e sundimit të ligjit në veri të Kosovës.

Të gjitha këto sfida kanë mbetur ende fusha me vija të kuqe, thotë kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime, deputetja Zylfije Hundozi, anëtare e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Për dallim nga Qeveria, deputetja Hundozi thotë se pret që ky raport të jetë edhe më negativ sesa ai i vitit të kaluar.

“Vërejtja kryesore ka qenë për prokurimin publik. E, çka kanë bërë këta për prokurimin publik? Asgjë, s’kanë ndryshuar. Tash duan ta sjellin ligjin në Parlament. Edhe ligjin ta ndryshojnë. E, kjo nuk llogaritet në raportin e progresit - diçka që është në procedurë, por vetëm diçka që është e përfunduar”.

“Pastaj këtu nuk është bërë reformimi i gjykatave dhe aty ku nuk është bërë reformimi i sistemit gjyqësor, nuk ka përparime në një vend. Në përgjithësi, situata mendoj se ka për të qenë e njëjta, e ndoshta edhe më e keqe”,
vlerëson Hundozi.

Drafti i parë i raportit të progresit, pritet që më 6 korrik të diskutohet në Prishtinë nga Qeveria vendore dhe Komisioni Evropian. Kurse, drafti final parashihet të prezantohet në fillim të vjeshtës.

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar këto ditë se fakti që pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e ka penguar Brukselin që t’i konfirmojë Kosovës perspektivën evropiane, duke besuar se BE-ja do të procedojë shumë shpejt edhe me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.