Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë shprehin shqetësimin se kontratat e nënshkruara më herët ndërmjet kësaj ministrie me kompanitë farmaceutike private, e dëmtojnë rëndë buxhetin.
Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Ilir Tolaj, thotë se Ministria paguan barnat me një çmim tepër të lartë, krahasuar me vlerën reale të tyre.
”Ka furnizime të sasive të njëjta që kompanitë i blejnë me 3-4 mijë euro, derisa Ministrisë së Shëndetësisë i shiten 100 mijë euro. Kemi kësi shembuj drastik dhe është për të ardhur keq, sepse buxheti për barna është jashtëzakonisht i kufizuar”, thotë Tolaj.
Zoti Tolaj thekson se këto keqpërdorime janë trashëguar nga udhëheqja e kaluar.
Por, sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Haxhi Kamberi, i cili këtë post e mban që nga koha kur ministria drejtohej nga ish-ministri Alush Gashi, thotë se secila kontratë është nënshkruar sipas procedurave tenderuese dhe ka shkuar përmes zyrës së prokurimit.
”Unë s’kam njohuri për këto. Asnjë bar nuk është marrë pa tender. Gjithçka ka shkuar me procedura të prokurimit”, shprehet Kamberi.
Mirëpo, sipas Tolajt, Ministria e Shëndetësisë ka një buxhet të ulët për blerjen e barnave esenciale. Ai thotë se kontratat që e dëmtojnë ministrinë, tashmë nuk mund të shkëputen deri në fund të vitit.
”Kemi trashëguar të gjitha kontratat që janë nënshkruar për furnizim me barna. Në analizën e këtyre kontratave vërehet një diskrepancë e madhe në mes çmimit të furnizimit dhe të çmimit që kompanitë ia shesin Ministrisë së Shëndetësisë”.
“Çmimet arrijnë dallime jashtëzakonisht enorme, disa qindra për qind më të shtrenjta jepen për Ministrinë e Shëndetësisë, sesa që këto kompani i furnizojnë me këto barna”, thekson Tolaj.
Por, sekretari permanent në Ministrisë së Shëndetësisë, Haxhi Kamberi, i është shmangur përgjigjes kur është pyetur që të japë shpjegime në lidhje me këto deklarime për dëmtim të buxhetit të Ministrisë.
”Këtu mund të të përgjigjet Ilir Tolaj”, deklaron Kamberi për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Tolaj, lë të hapur mundësinë për të hulumtuar rastin, në mënyrë që të vërtetohet nëse bëhet fjalë për keqpërdorime dhe elemente korruptive.
”Jemi duke hulumtuar, sepse ka shumë raste të tilla, në mënyrë që të analizojmë sistemin e furnizimit me barna në Ministrinë e Shëndetësisë”.
“Nga kjo perspektivë, duke i krahasuar këto çmime, kemi një bazë të fortë për të dyshuar për keqpërdorime. Ka elemente korruptive në këtë zinxhir”, shprehet Tolaj, duke shtuar se interesi i Ministrisë së Shëndetësisë, duhet të jetë furnizimi me barna dhe material shpenzues me një çmim sa më të lirë dhe kualitet të pranueshëm.
Sipas Tolajt, me këto kompani farmaceutike do të bashkëpunohet deri në fund të vitit, në mënyrë që të mos mbetet pa barna të domosdoshme. Përndryshe, siç thotë ai, do të ikin nga këto çmime shumëfish më të shtrenjta sesa në tregun e lirë.