Kosova nuk ndjek logjikën e dhunës që me forcë t’i ndalojë zgjedhjet lokale që ka paralajmëruar t’i mbajë Serbia në Mitrovicë e Novobërdë, thonë autoritetet në Prishtinë. Por, opozita kritikon qasjen pasive të Qeverisë.
Zgjedhjet lokale që Serbia pritet t’i organizojë në Mitrovicë dhe Novobërdë janë të dëmshme dhe nuk i sjellin përfitime politike komunitetit serb, thonë në Qeverinë e Kosovës.
Ndërkohë, opozita kritikon qasjen, siç thuhet, pasive të Qeverisë në raport me këto zgjedhje.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se këto zgjedhje nuk do të prodhojnë kurrfarë efektesh, pasi që janë cilësuar ilegale, si nga institucionet e Kosovës, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.
Kuçi thekson se pavarësisht pritjeve që ka Serbia, se duke ngritur struktura paralele të pushtetit, mund të përfitojë nga një proces i ri bisedimesh me Kosovën, këto bisedime, sipas tij, do të shtrihen vetëm në nivelin teknik dhe nuk do të përfshijnë çështjet e brendshme të Kosovës, siç është veriu i vendit.
“Natyrisht, çështjet që do të jenë të diskutueshme me Serbinë, do të jenë gjithmonë ato që nuk lidhen me statusin e Kosovës, me organizimin e brendshëm të Republikës së Kosovës, por ato që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane”.
“Synimet e Serbisë kanë qenë dhe mbeten deri në shkallë të spastrimit etnik, zhbërjes së shtetit të Kosovës, por këto politika nuk do të jenë të suksesshme as tani, e as në të ardhmen”, thotë Kuçi.
Në anën tjetër, Avni Arifi nga Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kritikon Qeverinë për një qasje pasive ndaj problemeve në veri.
Arifi thotë se jogatishmëria e Qeverisë që të shtrijë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, i ka dhënë mundësi Beogradit që të vendosë një lloj kaosi në atë pjesë të Kosovës.
“Mbajtja e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës në këtë pozicion, krejtësisht anemik e statik të institucioneve të Kosovës, dhe pozicionin aktual që ka bashkësia ndërkombëtare, besoj se do të ndikojë në margjinalizimin e mëtutjeshëm të statusit apo pozicionit të institucioneve të Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare, por edhe karshi proceseve që po kalon vendi”, thekson Arifi.
Pozicioni i Qeverisë në raport me zgjedhjet dhe vizitat e zyrtarëve të lartë të Serbisë në veri të Kosovës, është kritikuar ashpër edhe nga Lidhja Demokratike e Daradanisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Lulëzim Zeneli, konsideron se Qeveria ka dështuar të vendosë atje sundimin e rendit dhe ligjit, andaj kërkon që Kuvendi qysh në seancën e radhës ta diskutojë këtë çështje dhe të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.
“Sjellja e institucioneve tona që po ndodh çdo ditë, është imitim i institucioneve të shtetit dhe nuk ka asgjë të përbashkët me institucionet e një shteti të pavarur”.
“Prandaj, mungesa e politikës shtetërore ka bërë që Kosova sot të jetë e mbyllur, e ngujuar, në kuptimin e asaj që të mos japë përgjigje për të gjitha zhvillimet që po ndodhin në vend”, shprehet Zeneli.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Qeveria në Prishtinë është e vetëdijshme se sjelljet e zyrtarëve të Serbisë ndaj Kosovës mbeten të njëjtat me ato që i kishte edhe Millosheviqi.
Sidoqoftë, Kuçi thekson se Kosova nuk do të përdorë dhunë për parandalimin e këtyre zgjedhjeve.
“Çështja e parandalimit duhet të kuptohet në dy drejtime. E para, te fuqia juridike që të parandalohen, dhe ne e kemi arritur këtë bashkë me faktorin ndërkombëtar dhe ju e keni dëgjuar deklarimin edhe të BE-së dhe të tjerëve se (këto zgjedhje) nuk janë legjitime, nuk janë demokratike dhe nuk do të kenë fuqi juridike. Kurse, për parandalim fizik, nëse mendon dikush, ne nuk e kemi logjikën e veprimit të përdorimit të dhunës”, thekson Kuçi.
Zyrtarët e Qeverisë e pranojnë, po ashtu, se nuk kishte koordinim me EULEX-in në lidhje me disa vizita të papritura të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, në disa raste edhe me përcjellje nga persona të armatosur.
Por, këto çështje, tani e tutje thuhet se janë tejkaluar dhe secili zyrtar serb që do të vijë në Kosovë, duhet të marrë paraprakisht lejen e Prishtinës zyrtare.