Anëtarët e Grupit të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Politikave (PILPG) theksuan nevojën për veprim të menjëhershëm të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, lidhur me shtrirjen e autoritetit në veri të vendit.
Status quo-ja në veri të Kosovës nuk është e mirë për Kosovën, as për rajonin e as për njerëzit që jetojnë në atë pjesë të vendit; situata aktuale atje është e paqëndrueshme dhe duhet të ndryshojë, thanë në një konferencë për media në Prishtinë përfaqësues të Grupit të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Politikave (PILPG, The Public International Law & Policy Group).
Njëri nga tre anëtarët e këtij delegacioni, ish-diplomati amerikan, James Hooper, theksoi se i takon bashkësisë ndërkombëtare që të marrë hapin e nevojshëm për shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën. Përndryshe, tha ai, mekanizmat përgjegjegjës ndërkombëtarë do të duhej ta përgatisnin strategjinë dalëse të misioneve të tyre nga Kosova.
“Nëse ata nuk mund të zbatojnë veprime më efektive e më të fuqishme në veri, për të siguruar se po zbatohet ligji në gjithë Kosovën, atëherë ëshët koha për një strategji dalëse për EULEX-in dhe ICO-në. Është me të vërtetë koha që ata të veprojnë”, u shpreh Hooper.
Grupi, në përbërje të të cilit, përveç Hooperit, janë dhe ish-diplomatët amerikanë, Luis Sell dhe Shaun Byrnes, ka lansuar, kohë më parë, një projekt në Kosovë, mbi kushtet në të cilat jetojnë pakicat kombëtare në vend.
Gjatë qëndrimit të tij rreth dyjavor në Kosovë, grupi vizitoi vendet si: Prizreni, Shtërpca, Graçanica dhe Mitrovica, për t’u njohur për së afërmi me gjendjen aktuale të pakicave.
Veriu i Mitrovicës, ku në fund të këtij muaji pritet të mbahen zgjedhjet lokale të Serbisë, duket se ka mbetur zona më sfiduese për shtrirjen e autoritetit të institucioneve vendore. Problematikë e vazhdueshme edhe në komunat e tjera, të banuara me serbë dhe pakica të tjera, sipas anëtarit tjetër të këtij grupi, Luis Sell, mbetet veprimi i strukturave paralele.
“Me të vërtetë duket se është koha që të bllokohet veprimi i të ashtuquajturave struktura paralele në komunat në Kosovë. Është e pakuptimtë që një komunë në Kosovë të ketë dy kryetarë, dy zyrtarë komunalë në një komunë, në të cilën kanë votuar përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve. Është koha që t’i barten përgjegjësitë atij që është votuar dhe që të parandalohet funksionimi i strukturave të dyfishta ekzekutive”, tha Sell.
Anëtarët e Grupit të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Politikave theksuan se autoritetet kosovare duhet të marrin një qëndrim më të balancuar lidhur me shpërndarjen e resurseve ndërmjet minoritetit serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.
Hooper bëri të ditur se nga përfaqësues të këtyre minoriteteve u është thënë se ndihen të injoruar nga ana e institucioneve shtetërore. Lidhur me këtë, Grupi i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i Politikave adresoi një varg rekomandimesh për Qeverinë e Kosovës.
“Ne rekomandojmë që autoritetet të marrin një qëndrim më të balancuar nga ai që ekziston tani, në shpërndarjen e resurseve ndërmjet pakicave minoritare serbe dhe joserbe”, u shpreh Hooper.
Vizitën e fundit në Kosovë, ish-dioplomatët amerikanë e kishin realizuar në vitin e shkuar. Që nga atëherë, sipas tyre, Kosova ka bërë progres të dukshëm lidhur me sigurinë, lirinë e lëvizjes, trajtimin e problemeve dhe shqetësimeve të minoriteteve dhe është një nga vendet që ka ndër ligjet dhe strategjitë më të mira për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
Megjithatë, implementimi i këtyre dokumenteve, siç theksuan anëtarët e grupit, mbetet një ndër sfidat kryesore. Hooper tha:
“Ashtu siç kemi vërejtur se ka progres të dukshëm, ne gjithashtu besojmë se është koha për më shumë zbatim. Kushtetuta ekziston, ligjet janë shkruar, studimet janë përgatitur, planet e veprimit janë të cilësisë shumë të lartë. Ajo që është e nevojshme tani, është më shumë zbatim i qëndrueshëm nga autoritetet në Kosovë, në mënyrë që të ketë më shumë progres në trajtimin e komuniteteve”.