Ndërpritet greva e urisë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.


Deputetët socialistë dhe mbështetësit e tyre ndalën grevën e urisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 19-të të saj. Kërkesa e bërë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në këtë funksion, gjeti dhe aprovimin e shtabit të grevës.

“Të gjithë së bashku duam t’u bëjmë një ftesë atyre që janë ende në sakrificën e grevës së urisë, që të bien në një mendje me ne për ta ndalur këtë grevë”
, tha Rama. Një zhvillim ky i papritur, i imponuar dukshëm nga faktori ndërkombëtar.

Sot, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, do të udhëtojnë drejt Strasburgut, me ftesë të kreut të grupit të partive popullore evropiane në Parlamentin Evropian, Jozef Doul, dhe kreut të grupit të socialistëve evropianë, Martin Schulz.

Berisha dhe Rama janë thirrur në një darkë pune, ku do të diskutohet situata politike në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje.

Deri në këtë moment, mazhoranca dhe opozita duken të hapura për dialog.

Në një deklarim të tij për mediat, kryeministri i vendit, Sali Berisha, tha se respekton opsionet e opozitës për zgjidhje.

“Çdo forcë politike bën zgjidhjet e veta. Unë absolutisht ngelem i hapur. Për respekt të plotë ndaj opozitës, mbetem i hapur, në respekt të opsioneve që opozita i gjykon më të përshtatme për veten e saj. Një gjë është e sigurt, që Qeveria ka për detyrë të krijojë hapësira, pastaj secila forcë eshtë e lirë të marrë qëndrimet dhe vendimet që do”, u shpreh Berisha.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, konfirmoi gjithashtu gatishmërinë e forcës së tij politike për dialog.

“Është ora e një shansi të ri, është momenti i një mundësie të re, është dita për të mos e lënë këtë shans të humbasë dhe këtë mundësi të zhbëhet”, tha Rama.

Por, kryetari i PS-së nuk e përjashtoi gjithashtu vazhdimin e aksionit politik, nëse palët nuk arrijnë në një marrëveshje.

“Jemi të gatshëm për përpjekje, sakrifica të reja, në rast se zgjidhja nuk do të vijë dhe në rast se arsyeja e forcës do të vazhdojë t’i imonohet forcës së arsyes”, theksoi Rama.

Së fundmi, Partia Socialiste ka hedhur si opsion për zgjidhje hapjen vetëm të kutive që mbajnë materialet zgjedhore dhe dërgimin e çështjes për hapjen e kutive ku ndodhen fletët e votimit në Komisionin e Venecias, si organizëm që mund të japë një opinion, nëse hapja e tyre është kushtetuese ose jo.

Negociatat e sotme në Strasburg do të japin panoramën e qartë të zhvillimeve, nëse palët do të lëshojnë pe për t’i dhënë zgjidhje krizës politike, që pasoi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të mbajtura më 28 qershor, 2009.