Stavridis: Në Kosovë 5.000 trupa të NATO-s

Xhejms Stavridis


Komandanti i NATO-s, admirali Xhejms Stavridis, tha se shpreson për reduktime të mëtejme të trupave në Kosovë këtë vit në saje të përmirësimit të gjendjes së sigurisë.

Në një konferencë në Uashington, komandanti suprem i forcave të NATO-s, admirali amerikan Xhejms Stavridis tha se situata në Ballkan “nuk është e përsosur, por po shkon në drejtim të duhur”.

Duke theksuar se NATO-ja tashmë ka vendosur t’i zvoglojë trupat në Kosovë nga 15.000 në 10.000, Stavridis tha se ai “me siguri” do të rekomandojë reduktimin e mëtejmë të trupave nga fundi i vitit 2010.

Në shtator, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, shpalli se aleanca do t’u përmbahet planeve për të reduktuar forcat paqëruajtëse të KFOR-it nga 15 mijë në 10 mijë në fillim të vitit. Por admirali Stavridis tha se reduktimi do të jetë edhe më i madh.

“Unë po i reduktoj trupat atje nga 15 mijë në 10 mijë, dhe ndoshta në 5 mijë nga fundi i vitit”, tha Stavridis.

Duke përmendur ish Jugosllavinë si shembull i suksesit të aleancës, Stavridis tha se “NATO-ja ka qenë pjesë e procesit që na ka lëvizur përpara” që nga koha e gjakderdhjeve në luftërat ballkanike, përfshirë dhe masakrën e 8.000 myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995.

Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, NATO u ngarkua me detyrë që të mundësojë sigurinë në Kosovë pas luftës dhe bombardimeve 78 ditëshe kundër Serbisë.

Stavridis i bëri këto komente në një mbledhje në Këshillin Atlantik në Uashington, ku bashkë me ish sekretaren e Shtetit, Medlin Ollbrajt gjithashtu e diskutuan ardhmërinë e aleancës.

I pyetur rreth rëndësisë së NATO-s, Stavridis tha se rëndësia e aleancës duket “vetvetiu”, duke përmendur këtu operacionet luftarake në Afganistan, misionin paqëruajtës në Ballkan dhe përpjekjet kundër piraterisë në Bririn e Afrikës.

Por, komandanti suprem i aleancës tha se NATO-ja duhet të bëjë punë më të mirë që t’ia shpjegojë rolin e saj gjeneratës së re.

Stavridis e lëvdoi strategjinë e re të aleancës, të cilën javën e kaluar e publikoi paneli i ekspertëve, i kryesuar nga Medlin Ollbrajt.

Ai tha se pret që anëtarët e aleancës të diskutojnë mbi mënyrat se si t’u ofrohet siguria shteteve të NATO-s, në kohën kur bëhen përgatitjet për misione “të ekspeditave” në botë.(v.p.)