“Pavarësisht asaj që shumë shpesh njerëzit, që gjenden në krye të proceseve, janë të përzier në manipulimin e vetëdijes, ne nuk mund të pretendojmë se ata në çdo rast dinë se e vërteta e tyre është e gabuar”, tha në Prishtinë, historiani Noel Malcolm.
Pa përmendur gjendjen aktuale lidhur me raportet Kosovë - Serbi, historiani, shkrimtari dhe publicisti anglez Noel Malcolm, i cili në opinionin publik kosovar u bë i njohur me librin “Kosova - një histori e shkurtër”, u përpoq që përmes shpjegimit të funksionit të miteve në shoqëri, ndikimit të tyre në të shkruarit e historisë dhe përdorimin e miteve për qëllime politike, të tregojë origjinën e problemit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Në një ligjëratë të mbajtur në Prishtinë, Malcolm përmendi një varg mitesh të krijuara nga serbët e që, ndër të tjera, kanë ndikuar në çështjen e Kosovës.
“Këtu ka shembuj klasikë të përdorimit të historisë për qëllime politike. Pavarësisht asaj që shumë shpesh njerëzit, që gjenden në krye të proceseve janë të përzier në manipulimin e vetëdijes, ne nuk mund të pretendojmë se ata në çdo rast dinë se e vërteta e tyre është e gabuar. Ata shkruajnë atë, të cilën duan ta kenë si të vërtetë dhe kjo është një çështje tjetër”, tha Malcolm.
Kundërshtari i idesë serbe se “Kosova është djep i Serbisë”, foli për një varg mitesh që karakterizojnë zhvillimet në kuadër të historisë së dy popujve ballkanas.
Në kuadër të tyre përmendi mitin serb për “Betejën e Kosovës” dhe atë për “Eksodin e madh serb”, i cili, sipas tij, është bazuar në të dhëna të pasakta numerike për largimin e serbëve në territorin e sotëm të Hungarisë.
Nga ky mit, tha Malcolm, del në pah një paqartësi historike që ka të bëjë me popullatën që banonte atëkohë në territorin e Kosovës.
“Pra, këtu kemi një problem. Ata kishin shkruar libra se Kosova ishte zbrazur nga serbët. Serbët u larguan. Në fakt, ky ishte shpjegimi i tyre për ekzistimin e popullatës shqiptare në Kosovë - thuhet se ishte krijuar një vakuum më 1690 nga eksodi i tmerrshëm”.
“Mirëpo, duhet të kesh një popullatë atje, e cila ka nevojë të nxirret nga pengu. Duhet të pretendosh se ka një numër të konsiderueshëm të serbëve në Kosovë, përndryshe nuk ka bazë irredentizmi”, u shpreh Malcolm.
Dëshmia më e saktë, sipas historianit anglez, qëndron në të dhënat faktike rreth origjinës së popullit shqiptar.
“Edhe pse asgjë nuk është e qartë lidhur me origjinën e shqiptarëve, balanca e të dhënave dëshmon se ata, sipas të gjitha gjasave, kanë prejardhjen nga ilirët e lashtë. Mendoj se kjo është përgjigjja më e mirë historike që mund të jepet dhe ka evidencë për të”, theksoi historiani anglez, Malcolm.
Noel Malcolm shkroi përgjatë viteve 2000-2008 një varg shkrimesh të botuara në gazetat dhe magazinat ndërkombëtare, si: “The Guardian”, “The Daily Telegraph”, “The New York Times”, për çështjet që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë.