Forca e KFOR-it u ka dërguar në ndihmë Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës njësitet e intervenimeve të shpejta në brezin kufitar me Maqedoninë, pas incidenteve të armatosura që ndodhën ditët e fundit.
Njësitë për intervenime të shpejta të KFOR-it i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it, në përpjekje të menaxhimit të brezit kufitar Kosovë - Maqedoni, pas incidenteve të armatosura me bilanc tragjik, që ndodhën ditët e fundit në brendi të kufirit maqedonas.
Zëdhënësi i KFOR-it, Mihael Këting, tha se policia kishte raportuar për incidente të armatosura në Maqedoni, në afërsi të kufirit me Kosovën. Menjëherë pas, KFOR-i kishte dërguar njësitë e reagimeve të shpejta, të cilat i janë bashkuar policisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.
“Ne do të qëndrojmë atje për aq kohë sa do të ketë nevojë për ne”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Mihael Këting.
Bilanci tragjik i incidenteve, sipas autoriteteve maqedonase, është katër persona të vdekur dhe disa të plagosur. Tri nga viktimat janë prezantuar se i përkasin shtetit të Maqedonisë, kurse një është shtetas kosovar.
Ndërkohë, përfaqësuesit politikë në Prishtinë ftojnë të gjitha palët e përfshira për përmbajtje dhe maturi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se Kosova është e interesuar të kontribuojë në stabilitetin e gjithë rajonit. Ai ftoi edhe Qeverinë në Shkup, edhe qytetarët e atjeshëm që të kontribuojnë po ashtu në ruajtjen e paqes dhe të qetësisë.
“Kosovës i duhet një stabilitet rajonal. Kosova është e interesuar të kontribuojë në këtë drejtim. Besoj se çdo zhvillim për stabilitetin rajonal, për bashkëpunimin rajonal dhe për integrimet evropiane, është i domosdoshëm dhe i mirëseardhur”.
“Nuk dua të hy në kualifikime për shtetet tjera, por besoj se të gjithë do të japin kontributin e tyre, edhe Qeveria e Maqedonisë, qytetarët e të tjerët, që të ketë stabilitet si në Maqedoni, ashtu edhe në rajon”, tha Kuçi.
Ndërkaq, deputeti dhe eksperti i çështjeve ushtarake, Naim Maloku, tha se koha e konflikteve i takon së kaluarës. Incidentet e fundit në Maqedoni ai i sheh të tipit të izoluar, pasi që nuk beson se kanë implikime në raportet Kosovë - Maqedoni, vende këto që e kanë njohur njëra-tjetrën pa ndonjë kushtëzim.
“Nuk do të destabilizohet më asgjë në rajon; luftërat janë të kaluara dhe shqiptarët duhet t’i kthehen perspektivës evropiane. Problemi i shqiptarëve në Ballkan nuk është Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, por janë vetë shqiptarët, si në Shqipëri, në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni. Ky është mendimi im personal”, tha Maloku.
Ndërsa ftojnë të gjitha palët e përfshira të përmbahen nga dhuna, përfaqësuesit në Prishtinë rikujtojnë se të gjitha vendet e rajonit tashmë e kanë një perspektivë të përbashkët, e cila ka të bëjë me të ardhmen e tyre në kuadër të strukturave euro-atlantike.
Maqedoni: Situata e sigurisë, nën kontroll
Gjendja e sigurisë në Maqedonisë është stabile pas incidentit të ndodhur afër Radushës. Përfaqësuesit ndërkombëtarë konsideruan se bëhet fjalë për grupe të armatosura kriminale dhe e përshëndetën aksionin e policisë kundër tyre. Kreu i opozitës maqedonase bëri thirrje që të ndërmerren hapa pozitivë për relaksimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike.
Personi i katërt i vrarë në aksionin e policisë afër fshatit Radushë është Harun Aliu nga Shkupi, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një pjesëtari të njësisë speciale të Ministrisë së Brendshme “Tigrat”, para dy vjetësh.
Harun Aliu ka qenë kryetar i partisë jashtëparlamentare, Alternativa Kombëtare. Viktima e dytë në incidentin e djeshëm është Shaban Zenuni nga fshati Merovë i Tetovës, i akuzuar për rastin e Hagës, Punëtorët e Mavrovës; personi i tretë i vrarë është Xhafer Shala nga Prishtina, i dënuar me 9 vjet burg; ndërsa i vrari i fundit është Kemal Sejfulla nga Gërçeci.
Sipas Ministrisë së Brendshme, edhe personat tjerë të vrarë kanë pasur dosje kriminale, ndërsa grupet kriminale nuk kanë mbështetjen e popullatës lokale. Gjatë natës gjendja në terren ishte e qetë.
“Ministria e Brendshme gjatë natës dhe gjatë mëngjesit nuk ka regjistruar asnjë incident më serioz, i cili do të rrezikonte gjendjen e sigurisë”, deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.
Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë të opozitës, Branko Cërvenkovski tha se incidenti i djeshëm në afërsi të Radushës, zbulimi i armëve dhe dalja e një organizate me emrin UÇK, tregon se ekzistojnë grupe radikale dhe ekstreme, të cilat janë aktivizuar.
“Fakti që bëhet fjalë për sasi të mëdha armësh, flet se nuk duhet të nënvlerësohen kërcënimet pasi janë serioze. Megjithatë, që këto struktura radikale dhe ekstreme të mbeten të izoluara, të margjinalizohen dhe të mos marrin përkrahje nga popullata që do të zmadhonte kapacitetin e tyre për të bërë probleme të mëdha, është e rëndësishme që të krijohen marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfetare nga ana e subjekteve politike dhe nga Qeveria”, tha Cërvenkovski.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkoi që urgjentisht të zgjidhen problemet e brendshme në vend, siç janë: mbyllja e rasteve të Hagës, rasti i Sopotit dhe zgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Me rëndësi për ne është që të investojmë në marrëdhëniet ndëretnike në vend, situata të jetë stabile dhe më e qetë dhe të kapim hapin e mundshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, theksoi Ahmeti.
Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes komunikatës së Ambasadës së SHBA-së në Shkup e përshëndetën aksionin kundër elementeve kriminale të armatosura, të cilat, sipas ambasadës, shihet qartë se kishin planifikuar akte të dhunshme kundër qytetarëve të Maqedonisë.