“Ky është një ndryshim i rëndësishëm, në kuptimin që Ballkani ka ecur në drejtimin e duhur, por ende nuk ka dalë aty ku duhet”, thotë Çarls Kupçan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Çarls Kupçan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, në Shtetet e Bashkuara, fillimisht është pyetur për të komentuar vizitën e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Filip Gordon, në rajon.
ÇARLS KUPÇAN
Mendoj se vizita e zotit Gordon dërgon një sinjal të rëndësishëm, mbi angazhimin e vazhdueshëm amerikan. Mendoj se është e sigurt për të thënë se Ballkani, deri në një shkallë, pati filluar të hiqet nga radari gjatë administratës së zotit Bush, për shkak të 11 shtatorit dhe luftërave në Lindjen e Mesme.
Tani është rikthyer në fokus. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, në kuptimin që Ballkani ka ecur në drejtimin e duhur, por ende nuk ka dalë aty ku duhet. Sa më shumë vëmendje që i kushtohet këtij vendi nga Bashkimi Evropian, Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët, aq më shumë ka gjasa që trendet pozitive, të cilat i kemi parë viteve të fundit, të vazhdojnë të thellohen.
RADIO EVROPA E LIRË
Është folur kohët e fundit, edhe në anën tuaj të oqeanit, se Shtetet e Bashkuara po përpiqen, prapa dyerve të mbyllura, ta bindin Serbinë të heqë dorë nga Rezoluta 1244, për të mundësuar një pavarësi më të fuqishme për Kosovën. Në këmbim, Bashkimi Evropian do të përshpejtonte integrimin evropian të Serbisë. Si ju tingëllon e gjithë kjo?
ÇARLS KUPÇAN
Nuk i kam dëgjuar këto thashetheme, por në vitet e fundit, Serbia është trimëruar dhe motivuar në aspektin politik dhe ekonomik, për të përshpejtuar integrimin e saj në Evropë dhe për të thelluar pjesëmarrjen e saj në bllokun evropian dhe në NATO.
Mendoj se një nga arsyet që Serbia është udhëzuar të ndjekë këtë rrugë është për t’i dhënë asaj ndjenjën se nuk është e përjashtuar, për t’ia dhënë timonin në moderimin e politikës që ka, fundja në interes të vendosjes së stabilitetit dhe vendosmërisë në kufjtë e Ballkanit.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për samitin e Bashkimit Evropian në Sarajevë që do të mbahet më 2 qershor? Diplomatët evropianë, përfshirë këtu edhe ministrin e jashtëm italian, arritën të sigurojnë pjesëmarrjen e Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet formatit “Gymnich”.
ÇARLS KUPÇAN
Mendoj se është një hap në drejtimin e duhur. Fillimisht, për faktin se Evropa duhet të jetë më e angazhuar në Ballkan, duke qenë se në shumë aspekte puna ka mbetur e papërfunduar, përfshirë këtu Bosnjën, për të cilën shumë vëzhgues thonë se mbetet një vend i brishtë.
Fakti se BE-ja po merr rolin kryesor në këtë drejtim, është shumë i rëndësishëm dhe i mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara. Formula që përmendët, nëpërmjet së cilës pjesëmarrësit ulen në tavolinë dhe bisedojnë, duke e lënë të paqartë përfaqësimin e shtetit të tyre, është formulë e shfrytëzuar edhe në vende tjera. Si e tillë, përgjithësisht prodhon rezultate, sepse arrin që pjesëmarrësit t’i bëjë të flasin mes vete në fund të ditës.
Dhe fundja, nëse synohet arritja e normalizimit të raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, kjo nuk mund të përmbushet nga ana e BE-së apo SHBA-ve. Ato vetëm mund të ofrojnë motivime, mund ta vendosin tavolinën, por janë shqiptarët e Kosovës dhe serbët ata që duhet të bisedojnë me njëri tjetrin, për të gjetur një formë të arritjes deri tek çështjet e përbashkëta. (a.v.)