Policia e Maqedonisë tha se katër vetë janë vrarë nga shkëmbimi i zjarrit ndërmjet policisë dhe një grupi të armatosur, në afërsi të kufirit me Kosovën. Incidenti ndodhi afër fshatit Radushë, gjatë, siç thuhet, përpjekjes për të trafikuar armë.
Katër të vdekur dhe disa të plagosur është bilanci i incidentit të armatosur, që ka ndodhur gjatë natës, në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit.
Tri nga viktimat janë identifikuar në bazë të dokumentacionit të gjetur, ndërsa është duke u bërë identifikimi i viktimës së katërt. Bëhet fjalë për një person nga fshati Gërçec i Shkupit, një nga fshati Merovë, rrethi i Tetovës, dhe një është shtetas i Kosovës.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se shkëmbimi i zjarrit, ku u vranë 4 persona në rajonin e Radushës, ishte rezultat i sulmit ndaj patrullës së policisë maqedonase nga një grup i armatosur, i cili është marrë me kontrabandimin e armëve.
“Në orën 2 pas mesnate, gjatë tentimit të policisë për të ndaluar një furgon, personat që ndodheshin në të, hapën zjarr ndaj policisë nga automjeti i markës Mercedes. Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme iu kundërpërgjigjen sulmit, me ç’rast u vranë 4 persona, të cilët ndodheshin në furgon. Në të është gjetur një sasi e madhe armësh”, bëri të ditur ministrja Jankullovska, e cila tha se në radhët e forcave të sigurisë nuk ka të lënduar.
Numri një i dikasterit të policisë tha se nuk ka vend për panik në mesin e qytetarëve, duke theksuar se incidenti nuk kërcënon stabilitetin e vendit.
Partitë politike nuk e kanë komentuar incidentin në fjalë, ndërkohë që banorët lokalë thonë se aksioni i së martës mbrëma ka krijuar një situatë të tensionuar në këtë zonë.
Ndryshe, në rajonin e Radushës, ku ka ndodhur përleshja mes grupit të armatosur dhe forcave të sigurisë, të mërkurën gjatë ditës janë përqendruar forca të mëdha policore, të shoqëruara me helikopterë.
Ky incident pasoi atë të para dy javëve në rajonin e Studenës, tri kilometra në afërsi të fshatit kufitar Bllacë, ku u gjetën katër bunkerë me armë, ndërsa pati edhe të plagosur nga ana e grupit të armatosur.