Serbia ka zbuluar një varr masiv, ku gjenden trupat e pajetë të rreth 250 shqiptarëve. Ata besohet se janë vrarë gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria e Serbisë për krime lufte. Zyrtarët kosovarë presin fillimin e shpejtë të gërmimeve. Ata thonë se Beogradi e di se ku ndodhen të gjithë të zhdukurit.
Një varrezë masive me rreth 250 trupa të shqiptarëve është gjetur në Rashkë, vendbanim ky në jug të Serbisë. Informacioni është konfirmuar nga vetë Prokuroria e Serbisë për krime lufte.
“Duke iu falënderuar bashkëpunimit me EULEX-in, sipas informacioneve tona, kemi një varr në afërsi të Rashkës, me rreth 250 trupa. Bëhet fjalë për trupa të shqiptarëve. Kohë më parë, nëse ju kujtohet, para një ose dy vjetësh, është kërkuar ky varr, kemi pasur dëshmitarë që kanë thënë se aty diku mund të gjendet. Megjithatë, atëbotë, varreza nuk është gjetur”.
“Tash mendojmë se kemi lokacionin e duhur dhe do të bëjmë gjithçka që të kryhen sa më parë çështjet teknike, që të ekshumohen trupat dhe, natyrisht, me procedurë të rregullt, t’u jepen të afërmve”, tha në një deklaratë për byronë e Radios Evropa e Lirë në Beograd zëvendësprokurori për krime lufte, Bruno Vekariq.
Ndërsa, gjatë ditës, në një konferencë për gazetarë, prokurori për krime lufte i Serbisë, Vlladimir Vukçeviq, tha se aktualisht nuk ka të dhëna se si kanë përfunduar viktimat në varrezën masive në afërsi të Rashkës.
“Mendoj se përmes analizave të ADN-së, do të dihet identiteti i viktimave dhe në këtë formë mund të mbledhim fakte për ndonjë kriminel të ri të luftës apo për krime lufte, që ende nuk dihen”.
“Tash për tash, nuk dihet se kush i ka bërë këto krime, por kemi supozime që thonë se këtu ka varrezë masive”, tha Vukçeviq, duke nënvizuar se “serbët kanë kapacitet demokratik që të përballen me të gjithë atë që ka ndodhur në këto hapësira”.
Në anën tjetër, misioni evropian për sundimin e ligjit ka konfirmuar se ka shkëmbyer informacione me autoritetet e Serbisë në lidhje me varrezat e mundshme masive.
Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, tha se për këtë mision, çështjet e krimeve të luftës kanë përparësi të madhe.
“EULEX-i, çështjeve për krime lufte u ka dhënë përparësi të madhe, në veçanti në gjetjen e mbetjeve mortore të individëve që ende figurojnë të zhdukur, që nga konflikti i viteve 1998-1999 dhe më pas”.
“Ne, ka kohë që kemi qenë duke punuar konkretisht në këtë rast. Ne i kemi ofruar informacionet dhe të dhënat operative lidhur me një lokacion të mundshëm të një varreze masive në rajonin e Rashkës”, tha Herodes, duke nënvizuar se ende janë në pritje të të gjitha informacioneve në ndërlidhje me këtë rast.
Zëvendëskryeministri Ramë Manaj, që njëherësh drejton takimet e komisionit qeveritar për të pagjeturit, tha se informacioni për këtë varr masiv ka ekzistuar kohë më parë, por pala serbe, sipas tij, asnjëherë nuk ka gërmuar në vendin e duhur.
“Ne kemi pasur informacion se numri duhet të sillet mes 200 dhe 450, por në fakt do të shohim se sa do të jetë numri i trupave të varrosur aty. Aty, vite më parë, janë bërë gërmime, por nuk janë bërë pikërisht në vendin ku në fakt ndodhen trupat”, tha Manaj.
Në Kosovë figurojnë mbi 1800 të zhdukur nga konflikti i viteve 1998-1999. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj i tha Radios Evropa e Lirë se Beogradi zyrtar e di vendndodhjen e të gjitha viktimave.
“Të gjitha krimet që janë bërë, janë bërë nga organet e shtetit serb, nga ushtria, policia, në bashkëpunim me paramilitarët. Ka pasur evidenca të sakta dhe të gjitha informacionet që i kërkojmë që 11 vjet, pritet të vijnë më në fund nga pala serbe”, tha Manaj.
Në anën tjetër, zbulimi i varrit masiv nga ana e autoriteteve të Serbisë u mirëprit nga kryetari i Asociacionit të Familjarëve të Pagjetur, Haki Kasumi. Megjithatë, ai tha se administrata shtetërore serbe e ka tërë informacionin për krimet e bëra në Kosovë.
“Kjo është vetëm një lojë për të freskuar opinionin me informacion, apo për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare se janë kooperativë. Përndryshe, për ne kjo është lojë e zakonshme e Serbisë, ngase ata posedojnë të gjitha të dhënat për të gjitha krimet e bëra në Kosovë”, tha Kasumi.
Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte ka bërë të ditur se ekshumimi i trupave të pajetë të gjetur në Rashkë, mund të bëhet pas disa ditësh. Prishtina nuk e ka këtë informacion, ndërkohë që ende nuk dihet nëse do të ketë të pranishëm nga Kosova gjatë ekshumimit.
Deri tani, varri masiv më i madh në Serbi është zbuluar në vitin 2001, në rrethinat e Beogradit. Aty gjendeshin kufomat e 800 shqiptarëve të Kosovës.
Lexoni edhe këto: Ende s'dihet gjë për 1862 persona
Në kërkim të identitetit të të zhdukurve