“Çdokush në Serbi që mendon se Serbia mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e gjetur një ‘modus vivendi’ me Kosovën, mendoj se jeton në ëndërr...", tha për Radion Evropa e Lirë analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Knaus, kemi dëgjuar këto ditë deklarata nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, sipas të cilave rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave do të marrë vite. Çka është bërë, në fakt, nga institucionet kosovare në këtë drejtim dhe pse mendoni se ka një qëndrim skeptik nga ana e BE-së?
VERENA KNAUS
Nga ana e Qeverisë së Kosovës, në fakt, ka pasur një zhvillim interesant gjatë vitit të kaluar, e që ishte iniciativa e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar dhe draftuar njëanshmërisht udhërrëfyesin për viza dhe për të zbatuar një varg reformash në kuadër të atij udhërrëfyesi.
Mendoj se ky ishte një hap i rëndësishëm, sepse në njërën anë demonstronte se Qeveria e Kosovës është e interesuar të ecë përpara në procesin për viza dhe, po ashtu, demonstronte përkushtimin për t’i kryer reformat. Mirëpo, në të njëjtën kohë, kjo gjë s’është e mjaftueshme. Në njërën anë ka pasur një ngadalësim në zbatimin e reformave nga ana e Kosovës. Mendoj se mund dhe duhet të bëhet më shumë nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Por, në të njëjtën kohë, një pjesë e ngadalësimit që po e shohim këtu, është reflektim i dyshimit që shumë njerëz kanë në lidhje me premtimin e dhënë vitin e kaluar nga BE-ja se së shpejti do të ketë dialog dhe se do të ketë një udhërrëfyes për Kosovën.
Pra, i takon komisionit dhe shteteve anëtare për ta realizuar këtë premtim. Bëhet fjalë, në mënyrë të veçantë, për dialogun për viza. Sipas mendimit tonë, është koha që Kosovës t’i jepet shansi i njëjtë dhe në të njëjtën kohë kur Bosnjës dhe Shqipërisë po u tregohet se si mund të përparojnë drejt udhëtimit pa viza, edhe Kosovës t’i jepet një udhërrëfyes dhe të trajtohet njëjtë si vendet e rajonit, duke i kërkuar t’i zbatojë reformat e njëjta.
Mendoj se, sa më parë që të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë. Ky është fillimi i një procesi dhe sa më parë që të fillojë, aq më mirë do të jetë për Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që të nisë punën sërish dhe ta vazhdojë atë në lidhje me reformat.
RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mendimi juaj? Kur mund ta nisë Kosova këtë rrugë?
VERENA KNAUS
Ka shumë spekulime, natyrisht. Ne shpresojmë se para verës, ose ndoshta korriku do të jetë koha kur Bosnjës dhe Shqipërisë zyrtarisht do t’u bëhet me dije se kur mund ta presin udhëtimin pa viza dhe se cilat janë reformat e mbetura që duhet zbatuar.
Ky mendoj se do të ishte një moment shumë i mirë për t’ia dërguar Kosovës dhe qeverisë së saj një sinjal se, “Po, ne jemi seriozë”, e gjithashtu edhe publikut kosovar se, “Po, ju duhet ta nxisni qeverinë tuaj për t’i zbatuar reformat”.
Ajo që është me rëndësi, në fund, është përmbushja e 50 e më shumë kritereve që gjenden në udhërrëfyes. Koha e projekteve, strategjive dhe dokumenteve do të kalojë shpejt dhe tani është koha për zbatimin e reformave të prekshme. Ka kaluar, gjithashtu, edhe koha e premtimeve. Është koha që komisioni dhe shtetet anëtare të përkushtohen për ta bërë të qartë se Kosova do të trajtohet njëjtë si të gjithë.
RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët çështjet, të cilat Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë për Kosovën. Por, cili është mendimi juaj për qasjen që BE-ja ka në përgjithësi lidhur me integrimin evropian të Kosovës?
VERENA KNAUS
Ka një zbrazëtirë në këtë qasje. Në njërën anë, ka një perspektivë për Kosovën - gjë që u ritheksua ditë më parë nga komisionari evropian për zgjerim, zoti Shtefan Fyle, e që është konfirmuar vazhdimisht nga njoftimet dhe komunikatat që vijnë nga Brukseli. Mirëpo, në anën tjetër, natyrisht se ekzistojnë probleme praktike, siç është mosnjohja, problemet praktike që lidhen me trashëgimitë e statusit, ato që kanë të bëjnë me mungesën e ideve se si mund të ketë Kosova marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe të tjera.
Pra, mendoj se ka pengesa konkrete. Andaj, mendoj se do të jetë kruciale që, në mënyrë që qeveria të mbahet e përqendruar dhe e motivuar, në muajt dhe vitet e ardhshme të vazhdohet në rrugën drejt BE-së. Është e rëndësishme që të zgjidhen këto probleme dhe që të zbatohet shumë kreativitet, në mënyrë që, jo vetëm të flitet dhe të premtohet një perspektivë, por që të flitet për një rrugë konkrete që çon drejt realizimit të vendit, të Kosovës, brenda BE-së.
RADIO EVROPA E LIRË
Flisni për problemet që BE-ja ka me Kosovën, por, në anën tjetër, mbesin probleme edhe në mes të Kosovës dhe Serbisë. Duket se Brukseli është i interesuar për zgjidhjen e këtyre problemeve përmes bisedimeve mbi të ashtuquajturat çështje praktike. Në cilin format do të duhej të zhvilloheshin këto bisedime dhe kush do të duhej t’i ndërmjetësonte ato?
VERENA KNAUS
Është e qartë, sikurse për Serbinë ashtu dhe për Kosovën, se për të bërë një përparim real në integrimin evropian, është i nevojshëm përmirësimi i marrëdhënieve të tyre dhe ndryshimi i tyre ( i marrëdhënieve), të cilat i ngjajnë një periudhe të ngrirë diplomatike, meqë s’ka kontakte, s’ka diskutime bilaterale dhe s’ka bashkëpunim për çështje praktike.
Dhe, kjo po ndodh ndërmjet dy shteteve që eventualisht do të duhej të jetonin si fqinjë, do të duhej të bashkëpunonin në forumet e ndryshme rajonale ekzistuese, do të duhej të gjenin kompromis në shumë çështje teknike e politike, që kanë të bëjnë me faktin se dikur kanë qenë pjesë e një shteti, tani janë fqinjë, kanë një kufi të përbashkët e kështu me radhë.
Kjo është një pyetje që do të shtrohet herët apo vonë. Çdokush në Serbi që mendon se Serbia mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e gjetur një ‘modus vivendi’ me Kosovën, mendoj se jeton në ëndërr, sikurse çdokush në Prishtinë që mendon se rruga për në Bruksel nuk shkon përmes gjetjes së një kompromisi me Serbinë për jetën afër njëri-tjetrit si dy shtete.
Mendoj se është i pritshëm një presion i Komisionit Evropian për të biseduar për çështje praktike. Nuk duhet të ketë befasi lidhur me këtë. Për të pasur sukses, mendoj se këto bisedime duhet të jenë të përqendruara në çështje specifike, ku të dy shtetet do të kishin shumë për të fituar dhe ku BE-ja do të mund të ndërmjetësonte dhe do të mund të sillte përfitime të prekshme.
Një shembull i mirë për këtë është liberalizimi i vizave për Serbinë, ku parakusht për Serbinë ishte që të pranojë nënshkrimin e një protokolli me EULEX-in, me të cilin de facto njihet kufiri në veri të Kosovës. Mbetet ende një hap i gjatë për zbatimin e tij, por është shumë e qartë se premtimi për liberalizimin e vizave për Serbinë është bërë duke theksuar nevojën për bashkëpunim me EULEX-in dhe Serbia e nënshkroi.
Mendoj se këto lloj politikash, këto lloj ofertash që BE-ja mund t’ia bëjë Prishtinës dhe Beogradit, duke kërkuar në të njëjtën kohë bashkëpunim në çështjet praktike, janë rruga e duhur përpara. Nuk besoj në bisedime boshe të zhvilluara në shumë raunde me diplomatë të nivelit të lartë, sepse ato nuk prodhojnë asgjë. Duhet të bëhet fjalë për përfitime të prekshme, për interesa të qarta dhe shumë praktike.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se duhet të ketë bisedime të tilla? A mendoni se Prishtina, Beogradi dhe Brukseli do të duhej të prisnin mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës?
VERENA KNAUS
Nuk mendoj se ka një afat kohor, mendoj se ato duhet të ndodhin kur ka nevojë. Për momentin ekziston çështja konkrete e anëtarësisë së Kosovës në CEFTA, ku ka një problem. Pra, le të flitet se si të gjendet një zgjidhje. Ka pastaj një problem në lidhje me doganat dhe njohjen e vulave të doganave - këto janë çështje aktuale që nuk varen nga rasti në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ekziston edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën që ndërlidhet me çështjen e kufijve - menaxhimin dhe sigurinë e tyre. Mendoj se edhe Serbia ka pranuar që t’i menaxhojë kufijtë e saj sipas standardeve evropiane, pra le të mbahet edhe Serbia përgjegjëse për këtë. Duhet të përmendet edhe çështja e personave të pagjetur që nga përfundimi i konfliktit.
Këto janë çështje shumë praktike dhe nuk do të duhej të ishin pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga dikush, por çështje të interesit dhe nevojës njerëzore. Ato (bisedimet) do të duhej të kishin ndodhur dje dhe duhet të ndodhin nesër dhe pasnesër, mirëpo mendoj se duhet të jenë shumë konkrete.
Andaj, askush nuk duhet t’i frikësohet rihapjes së kapitullit të negociatave për statusin final. Ka ende një ëndërr dhe një shpresë në Beograd se pas publikimit të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të ketë hapësirë për rinegocimin e statusit të veriut.
Nuk mendoj se bisedimet e tilla do të jepnin rezultate, sepse ajo që është me rëndësi, është që njerëzit, të cilët jetojnë në Leposaviq, Shtërpcë, Prishtinë apo në Nish e Beograd, do të kenë një jetë më të mirë. Pra, le të përqendrohemi në çështjet që e bëjnë jetën e tyre më të mirë dhe le ta vëmë më anash politikën.