Ambient i (pa)favorshëm biznesi



Falimentimi i bizneseve në Kosovë, që sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit nuk është edhe i vogël, tregon se në Kosovë, edhe përkundër përpjekjeve nga autoritetet, nuk është krijuar ende një ambient i favorshëm për biznes. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë se bizneset kosovare vazhdojnë të ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet.

“Bizneset në Kosovë përpos krizës financiare kanë probleme të tjera, të cilat nuk po mund t’i zgjidhen siç është kriza e eksporti, pasi që tani përveç vështirësive financiare Kosovës i janë kufizuar eksportet. Gjithashtu, infrastruktura fizike dhe infrastruktura e politikave ekonomike është jo e mirë dhe e pafavorshme në krahasim me vendet e rajonit”, shprehet Shahini.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, kanë kërkuar nga autoritet kosovare që të bëjnë strategji adekuate si dhe t’i bisedojnë më seriozisht këto çështje, pasi që siç thonë ata krijimi i një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit në Kosovë, do të ishte një mundësi e mirë për zhvillimin e ekonomik të vendit.

Për ambient të pafavorshëm biznesor, Kosova vazhdimisht është kritikuar edhe në raportet e Bankës Botërore. Në njërin nga raportet e fundit të këtij institucioni financiar ndërkombëtar, Kosova kritikohet për procedurat e tepërta për fillimin e një biznesi.

Ndërkohë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë funksionon Agjencia për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, e cila punon në drejtim të krijimit të një ambienti të përshtatshëm për biznes. Udhëheqësi i kësaj agjencie, Naser Grajqevci shpjegon:

“Ministria e Tregtisë po provon që të krijojë një ambient më miqësor më të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit në Kosovë. Janë në zhvillim e sipër shumë projekte të cilat do të krijojnë këtë ambient I cili pritet të bëhet shumë atraktiv jo vetëm për bizneset brenda vendit, por edhe jashtë saj”, pohon Grajqevci.

Grajqevci bën të ditur se projektet, të cilat po zhvillohen kanë për qëllim krijimin e hapësirave të punës për bizneset. Gjithashtu, ai konfirmon se në të gjitha komunat e Kosovës po krijohen zona industriale ku do të vendosen shumë nga bizneset kosovare.

Në Raportin e Bankës Botërore të titulluar “Të bësh biznes”, Kosova ishte radhitur e 163-ta nga 183 vende të botës, në lidhje me fillimin e një biznesi të ri.

Sipas këtij raporti procedurat e regjistrimit dhe fillimi i një biznesi në Kosovë mund të zgjasë deri në 52 ditë që sipas Bankës Botërore është tri herë më ngadalë se mesatarja në shtetet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore.

Ndërkaq për të legalizuar biznesin, duhet ndjekur 9 procedura të ndryshme, duke u nisur nga hapja e një llogarie bankare, deri te regjistrimi i punonjësve në skemën pensionale. Edhe kostoja deri te fillimi i një biznesi është shumë më e shtrenjtë se në shtete e rajonit.

Ndërkohë sa u përket kritikave që janë bërë nga Banka Botërore, Grajqevci thotë se të gjitha kritikat janë marrë për bazë dhe janë duke u bërë përmirësime.

“Jemi vazhdimisht duke bërë progres. Ne kemi përfituar nga Banka Botërore për vitin 2010 një grant prej 850 mijë eurosh, i cili do të shkojë nga lehtësimi i këtij ambienti biznesor”, tha ai.

Sektori privat, që në Kosovë konsiderohet si fusha kryesore për zhvillimin ekonomik në vend, sipas ekspertëve për çështje ekonomike,
duhet të ndihmohet dhe gjithashtu të iu krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e veprimtarisë së tyre.