Liberalizim vizash pas disa vitesh

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, në vizitën e tretë bërë Kosovës, hezitoi të flasë për një kohë të caktuar për përfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave me BE-në, por tha se një gjë e tillë mund të marrë disa vite.


Derisa Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina mund të përfshihen brenda këtij viti në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, mundësitë për Kosovën në lidhje me hyrjen në këtë proces duket se mund të marrin edhe disa vite.

Pavarësisht mosnjohjes nga të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, tha se euro-parlamentarët e të gjitha 27 vendeve të BE-së mbështesin procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Megjithatë, ajo theksoi rëndësinë e përmbushjes së kritereve të nevojshme nga ana e institucioneve kosovare.

Lunacek tha se duhet të punohet në çështjet, si: regjistrimi civil, pasaportat biometrike, siguria e kufijve, çështjet e të drejtave themelore të njeriut, në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

“Këto janë gjërat që ende duhet t’i përmbushni dhe pastaj do të zgjasë edhe disa vite. Mos më pyetni sa do të jenë këto saktësisht, sepse nuk jam në gjendje t’ju them”, u shpreh Lunacek, pas një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi.

Ky i fundit u shpreh optimist se, pas hartimit të një udhërrëfyesi për liberalizim vizash nga vetë institucionet kosovare, edhe nga ana e Bashkimit Evropian, Prishtinës zyrtare do t’i dërgohet së shpejti një udhërrëfyes zyrtar për këtë çështje.

Rexhepi theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës në përfundimin e proceseve, të cilat figurojnë në listën e kërkesave të shteteve anëtare të BE-së - një nga të cilat është pajisja me pasaporta biometrike.

“Ne jemi optimistë që të gjitha ato mungesa, që vlerësohen se ende s’i kemi përmbushur, në muajt e ardhshëm, paralelisht me procesin e tenderimit, do t’i përmbushim. Dhe, në kohën kur e kemi paraparë, në pjesën e dytë të këtij viti, të jemi të gatshëm edhe për përzgjedhjen e kompanisë dhe prodhimin e pasaportave biometrike, e natyrisht pastaj të jemi kandidatë edhe për liberalizimin e vizave”, tha Rexhepi.

Përmbushja e kritereve teknike për liberalizim vizash, megjithatë, duket se nuk mund ta anashkalojë, siç thuhet, problemin politik që ka Kosova me Bashkimin Evropian.

E pyetur në lidhje me këtë problematikë, Lunacek tha se për disa çështje duhet të ketë pajtim edhe në vetë Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, ajo përmendi çështjen e tarifave të vizave për Kosovën.

“Një nga problemet që për momentin po e shoh, është që shtetet anëtare të BE-së dhe disa shtete të tjera evropiane po kërkojnë tarifa të ndryshme për vizat. Disa kanë një tarifë prej 35 eurosh, të tjerat e kanë 60 euro. BE-ja do të duhej ta kishte të njëjtë atë”, tha raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Në dhjetor të vitit të shkuar, tri shteteve fqinje të Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, u ishte hequr regjimi i vizave me Bashkimin Evropian.