Opozita akuzon pushtetin se këtë vit po vonohet me miratimin e ligjeve evropiane në Kuvend. Sipas tyre, ngecje ka edhe në zbatimin e ligjeve të miratuara, andaj kërkojnë përshpejtimin e dinamikës për miratimin e tyre. Por, partitë në pushtet nuk pajtohen me këto vlerësime, meqë, sipas tyre, ligjet evropiane miratohen sipas ritmit të duhur.
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se ligjet evropiane, të cilat miratohen në Kuvendin e Maqedonisë, miratohen me procedurë të rregullt dhe janë vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian.
Ndërsa, opozita konsideron se gjatë këtij viti ekzistojnë vonesa gjatë miratimit të ligjeve evropiane.
Anëtari i Këshillit Naciona për Integrime nga radhët e opozitës, Andrej Zhernovski, thotë se ligjet evropiane në Kuvend miratohen vetëm formalisht dhe nuk zbatohen aspak.
“Reformat që i bëjmë dhe ligjet që duhet t’i miratojmë dhe që është më e rëndësishme t’i zbatojmë, i bëjmë që t’i plotësojmë kërkesat e Brukselit dhe nuk kuptojmë se në esencë reformat na duhen neve, e jo t’i bëjmë për shkak të burokracisë në Bruksel”, thekson Zhernovski.
Kryetarja e Këshillit Nacional për Integrime evropiane nga radhët e Lidhjes Socialdemokrate të opozitës, Radmilla Sheqerisnka, vlerëson se dinamika e miratimit të ligjeve dhe akteve nënligjore evropiane ka shënuar rezultate të dobëta.
“Për shembull, nga 374 akte nënligjore për këtë vit, Qeveri nuk ka arritur të miratojë më shumë se 21 në tremujorin e parë të vitit, që domethënë as 5 për qind”, thotë Sheqerinska.
Por, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva, thotë se nuk duhet të jepen vlerësime të paanalizuara mirë.
“Derisa nuk shihet se sa akte nënligjore duhet të miratohen, sa janë miratuar, sa janë përgatitur dhe sa janë në procedurë qeveritare, nuk mund të japim vlerësim se dikush e ka kryer punën ose jo dhe në bazë të kësaj analize, duhet të kërkojmë përgjegjësi”, sqaron Boneva.
Ndërsa, deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Talat Xhaferi, thotë se dinamika e miratimit të ligjeve, edhe pse varet nga Qeveria, Kuvendi duhet të jetë më aktiv në këtë proces.
“Duke pasur parasysh kapacitetet profesionale të Qeverisë dhe të institucioneve të autorizuara për të propozuar akte ligjore, dinamikën duhet ta përcaktojë Qeveria në përputhshmëri me aktet ligjore dhe me normat evropiane. Por, Kuvendi ka vend për angazhim edhe më të madh, që të arrihet zbatimi i rregullativës evropiane në legjislacionin vendor”, thotë Xhaferi.
Ndërsa, sipas zëdhënësit të Demokracisë së Re, Arijanit Hoxha, Bashkimi Evropian ka bërë shumë kritika në adresë të Qeverisë së Maqedonisë, sa i përket mosmiratimit të ligjeve evropiane
“Kjo Qeveri, apo kjo mazhorancë aktuale, jo vetëm që nuk është duke vepruar me dinamikën e miratimit të ligjeve që e kanë flamurin evropian, por në tërësi e ka humbur sensin e politikë-bërjes dhe, si duket, është duke bërë një politikë ditore për përfitimin e pikëve politike”, shprehet Hoxha.
Përderisa opozita akuzon shumicën parlamentare, partitë në pushtet paralajmërojnë përshpejtimin e dinamikës për miratimin e ligjeve, të domosdoshme për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.