Pritje të mëdha kundër korrupsionit

Kërkesat e diplomatëve ndërkombëtarë në Prishtinë drejtuar institucioneve vendore, në lidhje me nevojën për veprime konkrete në luftën kundër korrupsionit, vazhdojnë të trokasin në dyert e këtyre institucioneve. EULEX-i, përveç korrupsionit në nivele të larta, e vlerëson shqetësuese edhe shkallën e korrupsionit në nivel lokal.


Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë duket se janë në pritje të hapave të ardhshëm, që do të ndërmerren nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, në lidhje me luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Edhe pse përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë hezituar ta ndërlidhin procesin e riformatizimit të ekzekutivit të vendit me luftën kundër korrupsionit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Andrew Sparkes, shprehu bindjen se në kuadër të këtij procesi, me suspendimin e disa njerëzve nga agjencitë e caktuara, janë bërë disa përmirësime.

Megjithatë, Sparkes tha se diplomatët ndërkombëtarë duan të shohin më shumë ndryshime, që do ta forconin luftën kundër korrupsionit.

“Është një përparim i vazhdueshëm, por unë pres më shumë, ne presim më shumë. Ne jemi duke lëvizur në drejtim të duhur”
, tha Sparkes.

Deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë në lidhje me nevojën për intensifikimin e punës së institucioneve përgjegjëse kosovare në luftën kundër korrupsionit, sa vijnë e shtohen.

Kështu, ditë më parë, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, njëherazi Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i kthejë fjalët në vepra sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivele të larta.

Në kuadër të përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Qeveria e Kosovës, në fund të muajit shkurt, kishte formuar një “task-forcë” speciale, në përbërje të së cilës janë pesë prokurorë kosovarë dhe tre të EULEX-it.

Drejtori për hulumtime në Institutin KIPRED, Krenar Gashi, tha se Kosovës nuk i duhet një ‘task-forcë’ për luftimin e korrupsionit, por, sipas tij, i duhet reformimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë. Gashi i quajti të pasuksesshme veprimet e deritanishme të ekzekutivit kosovar në luftën kundër korrupsionit.

“Unë mendoj se nuk ka pasur sukses në luftën kundër korrupsionit. Qeveria e Kosovës vjen me ide të reja të krijimit të një ‘task-force’ speciale për ta luftuar korrupsionin, që, në fakt, është një blerje kohe dhe një blerje e opinionit publik - një investim i gabuar”.

“Kosova ka nevojë që t’i forcojë institucionet e veta të sundimit të ligjit, e pikësëpari prokurorinë dhe gjykatat. Janë këto institucione, të cilat duhet ta luftojnë korrupsionin në baza të përditshme“
, tha Gashi, duke theksuar nevojën edhe për veprime të menjëhershme të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë në këtë drejtim.

Mirëpo, përfaqësues të këtij mekanizmi thonë se që nga nisja e aktiviteteve të “task-forcës” kundër korrupsionit e deri më tani, nuk ka mundur të arrihet ndonjë rezultat konkret, për shkak të, siç thuhet, ndjeshmërisë së rasteve të korrupsionit dhe kohëzgjatjes së hetimeve.

Zëdhënësja e komponentit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, tha se nuk është shqetësuese shkalla e korrupsionit vetëm në nivelin qendror, por edhe ajo në nivelin lokal.

“Zyra e prokurorit special në Kosovë merret vetëm me korrupsionin në shkallën e lartë. Duhet të kujtojmë se korrupsioni nuk është vetëm ai që trajtohet në zyrën e prokurorit special, pra i nivelit të lartë, por edhe ai në nivelin komunal. Ky duket të jetë minor, por, në fakt, pengon jetën e përditshme të qytetarëve”, u shpreh Herodes.