Bisedimet për reforma zgjedhore në Kosovë duhet të përfshijnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, thonë përfaqësues të këtyre institucioneve. Ekspertët vlerësojnë se bisedimet aktuale për këtë proces kanë nisur në mënyrë të gabuar.
Autoritetet për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë kërkojnë që të përfshihen në bisedimet për reformat zgjedhore, që synojnë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme.
Pas inicimit të këtyre bisedave në nivelin e shefave të grupeve parlamentare, krerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e konsiderojnë të domosdoshme përfshirjen e tyre në bisedime të tilla.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, thotë për Radion Evropa e Lirë se, bazuar në përvojën që ky komision ka pasur nga ecuria e zgjedhjeve lokale në vend, inkuadrimi i tij në bisedimet për reforma zgjedhore do të ishte një kontribut për tërë procesin.
“Është e nevojshme që edhe ne t’i japim mendimet tona, sepse ne jemi ata që po e aplikojmë ligjin dhe po hasim në vështirësi. Mirëpo, se sa shpejt do të ndodhë kjo, nuk kam informata për momentin. Shpresoj se do të bëhet sa më shpejt”, shprehet Lushta.
Pas përfundimit të procesit elektoral në pjesën më të madhe të komunave në Kosovë, Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë kishte dalë me disa sugjerime për ndryshime në ligjet zgjedhore.
Në kuadër të rekomandimeve të Komisionit Evropian ishin: thjeshtëzimi i sistemit zgjedhor, ai i procesit të ankesave dhe parashtresave, miratimi i legjislacionit që rregullon regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, duke përfshirë financimin e partisë dhe financimin e fushatës, e të tjera.
Kreu i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Tahir Rrecaj, mendon se duhet të ndryshohet rreth 90% e ligjeve për zgjedhjet në Kosovë. Nisja e procedurës së ndryshimeve, sipas tij, duhet të bëhet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në komunën e Istogut.
“KZAP-i dhe KQZ-ja duhet patjetër të jenë bartës të këtyre ndryshimeve, për shkak se ne jemi ata që i kemi vërejtur të gjitha ato lëshime, dobësi, zbrazëtira, të cilat i ka pasur ligji dhe patjetër duhet që KZAP-i dhe KQZ-ja të kyçen në këtë proces”.
“Menjëherë duhet të fillohet me ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet, në mënyrë që të jemi të përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat priten në vitin e ardhshëm”, thotë Rrecaj.
Sidoqoftë, njohësit e procesit zgjedhor thonë se i tërë procesi për reforma zgjedhore në Kosovë ka nisur në mënyrë të gabuar.
Ish-kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se nuk është dashur të niset nga niveli partiak, por është dashur të fillohet në nivelin e ekspertëve.
“Kjo do të duhej të bëhej fillimisht nga ekspertët dhe do të duhej të përgatitej një projektligj, i cili pastaj do të duhej të jepej gjithsesi në debat edhe brenda subjekteve politike dhe institucioneve”.
“Qeveria do të duhej t’i përgatiste ekspertët e saj, pastaj të shkonte në Kuvend. Para se të shkonte në Kuvend, edhe shoqëria civile do të duhej të bënte një debat gjithëpërfshirës për atë se çka ai ligj, gjegjësisht kod, duhet të përfshijë”, thotë Baraliu.
Një çështje tërësisht tjetër, sipas Baraliut, është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Ai shprehet pesimist se mund të ndodhë ndryshimi i sistemit aktual, që është proporcional me lista të hapura, në një sistem, i cili është përfolur, pra një sistem i përzier proporcional-mazhoritar me lista të mbyllura.
“Fakti se kemi një sistem çfarë e kemi, me ligjet elektorale në fuqi, është pasojë e një marrëveshjeje të ngushtë dhe një konsensusi përsëri të ngushtë në qarqet e ngushta midis subjekteve politike parlamentare dhe presidentit. Një sistem, i cili u dëshmua kësaj radhe se nuk është më i miri, ani që është proporcional dhe me lista të hapura, por u është përgjigjur shumë liderëve dhe lidershipeve të ngushta partiake”, thekson Baraliu.
Nevoja për reforma zgjedhore u kërkua pas evidentimit të mangësive dhe parregullsive në zgjedhjet e fundit lokale. Ndryshimet në ligjet elektorale në Kosovë duhet të kalojnë fazën e shqyrtimit, ndryshimit eventual dhe miratimit në Kuvendin e Kosovës.
Kohëzgjatja e këtyre procedurave thuhet se e bën më të domosdoshme një përgatitje më intensive të ndryshimeve në këto ligje.