Dy realitetet e Mitrovicës

Mitrovicë

E ardhmja e Mitrovicës vazhdon të shihet në mënyra të ndryshme jo vetëm nga politikanët shqiptarë e serbë, por edhe nga qytetarët. Ndërsa përfaqësues shqiptarë nga jugu besojnë se në të ardhmen Mitrovica do të jetë sërish një qytet i bashkuar, banorë dhe politikanë serbë nga veriu thonë se nuk besojnë te ribashkimi i qytetit.


Përfaqësues politikë të shqiptarëve dhe serbëve, si dhe qytetarë të të dyja nacionaliteteve ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me të ardhmen dhe statusin e qytetit të Mitrovicës.

Dikur i njohur si qytet industrial, tani e 11 vjet, Mitrovica vazhdon të shihet si një qytet i ndarë me shumicë shqiptare në jug dhe shumicë serbe mbi lumin Ibër, ku dominon pushteti paralel serb.

Madje, edhe shpallja dhe jetësimi i Kosovës së pavarur besohet se ende nuk i kanë dhënë efektet që i ka pritur Prishtina në veri të Mitrovicës.

Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, pret që me zbatimin e dispozitave të Planit të Ahtisarit për Mitrovicën si një qytet, por me dy komuna, do të fillojnë të lëvizin gjërat kah integrimi i të dyja pjesëve.

“Gjendja momentale në Mitrovicë nuk është e kënaqshme. Mirëpo, kjo situatë mund të përmirësohet dukshëm, për arsye se në pjesën e dytë të vitit do të ndodhin zgjedhjet lokale dhe me këto zgjedhje, do të zgjidhen edhe institucionet legale, të cilat me siguri se do ta përfaqësojnë interesin e qytetarëve”, thotë Kastrati.

Në anën tjetër, sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, thotë se Mitrovica është një qytet i ndarë dhe se integrimi mund të ndodhë vetëm mbi bazën e disa çështjeve që janë të interesit të përbashkët.

“Ka interesa të përbashkëta. Interesa janë jo vetëm uji, ngrohja, grumbullimi i mbeturinave, por në faza të mëvonshme ndoshta interes do të jetë edhe telefonia, edhe rryma”, thotë Ivanoviq.

Por, në asnjë mënyrë, sipas tij, serbët nuk mund të rrezikojnë të integrohen edhe politikisht në kuadër të sistemit legal, të organizuar nga institucionet e Kosovës.

Mendime të ndryshme për të ardhmen e Mitrovicës shprehin edhe qytetarët shqiptarë dhe ata serbë.

Luan Feka, nga Mitrovica, thotë se ky qytet duhet të frymojë në kuadër të realitetit të ri në Kosovën e pavarur dhe të funksionojë si i bashkuar.

“Mitrovica duhet të bashkohet sikurse që ishte edhe para luftës. Të jenë të gjithë bashkë, të shëtisim të lirë dhe të vazhdojmë jetën. Për dy muaj mund të ndodhë të bashkohet si pjesë e shtetit të pavarur. Ato që kanë qenë në të kaluarën, t’i largojmë dhe ta vazhdojmë jetën e përbashkët”, thotë qytetari Luan Feka.

Ndërkaq, qytetari serb, Branisllav Kërstiq, thotë se nuk sheh ndonjë mundësi të bashkimit të qytetit, përderisa raportet shqiptaro-serbe janë jo të mira.

“Mitrovicën e shoh si qytet të ndarë, me kufi të përcaktuar qartë dhe pa ndonjë lidhje tjetër, përveç kontakteve ekonomike”
, thotë qytetari Kërstiq.

Amra Hajdari, po ashtu qytetare e Mitrovicës, nga pjesa jugore, beson se e ardhmja më e mirë e këtij qyteti është bashkimi dhe jo ndarja.

“Mitrovica mund të jetë e bashkuar dhe të jetë shembull për gjithë Kosovën, por, si duket, as institucionet tona dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk punojnë dhe nuk shkojnë rrugës së drejtë”.

“Shembull i mirë do të ishte nëse refugjatët kthehen në vendet e tyre, kurse fshatarët kthehen dhe punojnë tokat e tyre në fshat, ku kanë pasuri të madhe. Qytetarët e Mitrovicës do të mund të jetonin së bashku prapë, pa asnjë problem”,
thotë banorja e jugut të Mitrovicës, Amra Hajdari.

Mirëpo, mendim tjetër shpreh qytetari serb, Sasha Iliq:

“Tash për tash, nuk shoh ndonjë zgjidhje afatgjate për statusin e Mitrovicës. Mendoj se duhet të mbetet qytet i ndarë, sepse nuk mund të jetojmë bashkë me shqiptarët”.

Bazuar në Pakon e Ahtisarit dhe strategjinë për integrimin e veriut, institucionet e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, sivjet, planifikojnë zgjedhje të lira në Mitrovicën veriore, si përpjekje për të vendosur institucione legale.

Por, njëkohësisht, edhe Serbia pretendon që atje të organizojë zgjedhje të lira për strukturat e pushtetit paralel serb, të cilat pritet t’i sfidojnë sërish institucionet e Kosovës, në përpjekjet e tyre që të vendosin rendin dhe ligjin konform Kushtetutës së Kosovës në pjesën veriore.

Lexoni edhe këtë: Realiteti përballë shtetësisë së Kosovës