Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se krijimit të komunës së re të Mitrovicës së Veriut duhet t’i jepet aq kohë sa ka nevojë, në mënyrë që të mundësohet një, siç thuhet, cilësi dhe perspektivë e procesit. Ndërkaq, ekspertët për decentralizim e quajnë të gabuar qasjen e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë ndaj veriut të Kosovës.
Derisa autoritetet përgjegjëse në Kosovë kanë iniciuar bartjen e përgjegjësive nga pushteti qendror dhe komunat tashmë ekzistuese te katër komunat e reja, një kohë e pacaktuar për ta zbatuar këtë proces thuhet se do t’i duhet komunës së re të Mitrovicës Veriore.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Sadri Ferati, tha se nuk mund të thuret një plan i detajuar kohor për mbajtjen e zgjedhjeve, që duhet t’i paraprijnë apo të zhvillohen paralelisht me krijimin e kësaj komune.
“De fakto, koha do të jetë ajo që na duhet - edhe vetë qytetarëve, por edhe vetë neve, bashkësisë ndërkombëtare e të gjithë faktorëve, që do ta ndihmojnë situatën atje. Se sa do të duhet kohë, ne nuk jemi të sigurt ta themi tani, por do të japim kohë, ngase me rëndësi kryesore është kualiteti i procesit dhe perspektiva e procesit”, tha Ferati.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia Kadastrale e Kosovës, komunat: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Lipjan, Kamenicë, Graçanicë, Viti, Ranillug dhe Kllokot, kanë nënshkruar gjatë pasdites një marrëveshje, që ka për qëllim bartjen e kompetencave nga komunat amë te komunat e reja.
Eksperti për decentralizim, Arben Gashi, tha se procesi pothuaj i përfunduar i decentralizimit te zonat qendrore në Kosovë, nuk është një sukses për institucionet kosovare, për shkak se jashtë këtij procesi ka mbetur veriu i vendit.
“Politika kosovare ka humbur procesin e vet, sepse nuk ka arritur që përmes procesit të decentralizimit ta shtrijë autoritetin e vet në pjesën veriore të Kosovës. Ndërsa, ka arritur që një pjesë e institucioneve të decentralizohen dhe të riorganizohen komunat brenda territorit të Kosovës në pjesën jugore apo qendrore të Kosovës”.
“Kjo shkon më shumë në favor të reklamimit politik për Serbinë sesa qëndrueshmërisë institucionale dhe politike në Kosovë”, vlerësoi Gashi.
Mbajtja e zgjedhjeve për krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore parashihet dhe me strategjinë për shtrirjen e autoritetit në veri të vendit - dokument ky i formuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.
Kreu i kësaj zyre, kohë më parë, kishte emëruar 14 anëtarët e ekipit përgatitor për krijimin e komunës së Mitrovicës Veriore.
Sidoqoftë, eksperti Gashi u shpreh pesimist për zbatimin e kësaj strategjie në veri, për shkak të, siç tha ai, mungesës së vendosmërisë së mekanizmave përgjegjës në njërën anë, si dhe ndikimit të Beogradit zyrtar mbi banorët e veriut në anën tjetër.
“Institucionet kosovare dhe ndërkombëtare janë të paafta që të bëjnë organizimin në pjesën veriore të Kosovës. E dyta, janë të paafta në aspektin teknik dhe, e treta, janë të paafta në kuptimin e qasjes ndaj popullatës lokale dhe marrjes së miratimit të tyre për organizimin e institucioneve në pjesën veriore të Kosovës”.
“Popullata lokale, duke qenë se përballet me një presion shumë të madh nga institucionet serbe dhe nga ekstremistët lokalë serbë, nuk është në gjendje që publikisht të dalë dhe t’i pranojë institucionet e Kosovës ta shtrijnë autoritetin në tërë territorin e vendit”, tha Gashi.
Përveç katër komunave të reja të formuara tashmë, mungesës së afatit kohor për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, në muajin qershor pritet të ketë zgjedhje lokale në komunën e re të Parteshit.