Kryeministri Hashim Thaçi konfirmoi përmbylljen e procesit të ndryshimeve në Qeveri. Këto ndryshime sollën si rezultat zëvendësimin e gjashtë ministrave në kabinetin e tij qeveritar dhe formimin e Ministrisë për Integrime.
Kryeministri Hashim Thaçi konfirmoi, të mërkurën, përfundimin e procesit të ndryshimeve në Qeverinë e Kosovës.
Këto ndryshime sollën si rezultat largimin e gjashtë ministrave: tre nga Partia Demokratike e Kosovës dhe po aq nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe formimin e Ministrisë së Integrimeve dhe emërimin e ministrit përkatës.
Ndryshimet në Qeveri Thaçi i cilësoi edhe njëherë si nevojë për energji të reja me figura afirmative. Ndërsa falënderoi ministrat e larguar, pa dhënë ndonjë arsye të veçantë për zëvendësimin e tyre, Thaçi në një konferencë për media, prezantoi emrat e ministrave të rinj.
“Ministrat e rinj do të jenë: Edita Tahiri, ministre e Administratës Publike; Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme; Bujar Bukoshi, ministër i Shëndetësisë; Haki Demolli, ministër i Drejtësisë; Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë; Lutfi Haziri, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; dhe Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Evropiane”, tha Hashim Thaçi.
Sipas këtij vendimi, nga Qeveria largohen ministrat e deritashëm, Arsim Bajrami, Idriz Vehapi e Zenun Pajaziti nga PDK-ja dhe Alush Gashi, Nekibe Kelmendi dhe Valton Beqiri nga LDK-ja.
Vendimi për riformatizimin e Qeverisë pasoi mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, nga e cila rezultoi zëvendësimi i tre ministrave nga kjo parti politike.
Tre ministrat e larguar nga LDK-ja refuzuan të japin dorëheqje. Andaj, Kryesia e LDK-së vendosi t’i ndërrojë ata, duke shmangur termin shkarkim.
Ministrja tashmë e zëvendësuar e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, e lëshoi mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, duke refuzuar të japë dorëheqje, por megjithatë ajo tha se do ta respektojë çdo vendim të Kryesisë së partisë.
“Si duhet ta pres, unë nuk kam lindur me karrige të ministrit. E kam fituar atë post me punë, me djersë, me mund, me pastërti, me kredibilitet, me viktima, me të gjitha... Dorëheqje nuk jap, por vendimin e Kryesisë e pranoj”, tha Kelmendi.
Edhe pse e pakënaqur, Nekibe Kelmendi e përjashtoi mundësinë e largimit të saj nga LDK-ja.
“Unë e kam themeluar këtë parti bashkë me presidentin Rugova dhe për mua do të ishte vetëvrasje politike nëse unë do të tërhiqesha nga LDK-ja”, theksoi Nekibe Kelmendi.
Kryeministri Thaçi tha se mbledhja e parë e Qeverisë në përbërjen e re do të thirret të premten. Ndryshe, riformatizimi i Qeverisë, është një procesi i nisur që nga 19 nëntori i vitit të kaluar.