Bisedimet Prishtinë-Beograd, peng i GJND-së?

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Përfaqësues të Qeverisë në Kosovë dhe ata në Serbi thonë se procesi i bisedimeve për çështje praktike ndërmjet dy palëve nuk duhet të varet nga procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.


Autoritetet në Prishtinë dhe Beograd nuk duan ta ndërlidhin procesin e shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me, siç thuhet, nevojën për t’i qartësuar çështjet praktike ndërmjet dy palëve.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili nuk është i vendosur në ndonjë kornizë të caktuar kohore, nuk ka të bëjë me relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, shpjegon:

“Bashkëpunimi rajonal është parakusht për procesin e integrimeve evropiane dhe Serbisë duhet bërë e qartë se nuk mund të ketë njëherësh ‘qasje evropiane’ karshi Brukselit dhe qasje totalisht anti-evropiane karshi rajonit, posaçërisht Kosovës. Procesi i relaksimit të marrëdhënieve në rajon nuk ndërlidhet me asnjë proces tjetër”.

Zyrtarë të institucioneve serbe shprehen po ashtu në favor të bisedimeve për qartësimin e disa çështjeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thekson nevojën për gjetjen e një modusi adekuat, në kuadër të të cilit mund të ketë bisedime ndërmjet palës serbe dhe asaj shqiptare.

“Mendoj se dialogu dhe diskutimet rreth Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk janë çështje të ndërlidhura në mënyrë direkte mes vete. Është më shumë e rëndësishme të gjendet një zgjidhje se si do të takohen zyrtarët serbë dhe shqiptarët e Kosovës”.

“Është më shumë e rëndësishme të përcaktohet kapaciteti teknik dhe forma në të cilën ata do të takohen. Sipas mendimit tim, do të jetë e vështirë të krijohen kontakte direkte, andaj do të ishte një zgjidhje më e mirë që dikush ta ndërmjetësonte këtë proces”,
thotë Ivanoviq.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kohë më parë, kishte deklaruar se pas vendimit të GJND-së mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, Serbia do të jetë e gatshme për të arritur, siç thuhet, kompromisin përmes dialogut.

Derisa Prishtina zyrtare këmbëngul se me Serbinë do të jetë e gatshme të bisedojë vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane, Ivanoviq thotë se statusi i Kosovës duhet të kthehet kurdoherë në tryezën e bisedimeve.

“Sipas këndvështrimit serb, statusi i Kosovës nuk është i definuar ende. Ajo që kemi tani, është vetëm një status tranzicional. Statusi final mund të gjendet vetëm pas një raundi të ri bisedimesh për statusin”
, thekson Ivanoviq.

Kërkesa e Beogradit zyrtar që pas procesit në GJND të nisin sërish bisedime për statusin e Kosovës, në njërën anë, dhe interesi i Prishtinës për bashkëpunim në cilësinë e shteteve sovrane, sipas ekspertit për marrëdhënie ndërkombëtare, Afrim Hoti, kanë ardhur si pasojë e një keqinterpretimi të këtyre dy proceseve nga palët përkatëse.

Hoti vlerëson se bisedimet Prishtinë-Beograd, të kërkuara nga Brukseli zyrtar, ka gjasa të mbeten peng i procesit në GJND, për shkak të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.

“Mendoj se kemi të bëjmë me një keqkuptim ose një keqinterpretim nga ana e serbëve, sepse në njërin version apo në versionin tjetër, kosovarët nuk do të bisedojnë për statusin, por duhet të bisedojnë vetëm për interesa teknike ose të ndërsjella, që kanë qytetarët e të dy vendeve”.

“Mbi këtë bazë, mendoj se serbët nuk do të duhej t’i ushqenin iluzionet e tyre dhe t’i varin shpresat e tyre në mendimin e Gjykatës, por do të duhej të uleshin dhe të diskutonin me kosovarët për këto çështje”
, thotë Hoti.

Diplomatët evropianë, ndërkohë, patën deklaruar se Prishtina e Beogradi nuk duhet ta presin përfundimin e procesit në GJND, për t’i diskutuar temat që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.