Kosova duarkryq ndaj neutralitetit të KFOR-it

Paqeruajtës të NATO-s në Mitrovicë

Institucionet e Kosovës duket se janë pajtuar me qëndrimin neutral të KFOR-it ndaj strategjisë për veriun e vendit. Ekspertët për siguri, ndërkaq, vlerësojnë se mandati i KFOR-it i bazuar në rezolutën 12 44 parasheh veprimin kundër strukturave paralele serbe - gjë që është kundërshtuar deri më tani nga ky mekanizëm.

Distancimi i misionit të NATO-s në Kosovë nga strategjia për veriun e vendit, nuk duhet të ndikojë në veprimet e këtij misioni kundër strukturave paralele serbe në veri dhe në mbajtjen nën kontroll të situatës së sigurisë në atë pjesë të vendit, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe njohës të çështjeve të sigurisë në Prishtinë.

Neutraliteti i KFOR-it ndaj strategjisë thuhet se ndërlidhet me qëndrimin e tij neutral ndaj statusit të Kosovës, qëndrim ky i bazuar në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili mund të ndryshonte vetëm me një rezolutë të re që do ta zëvendësonte dokumentin ekzistues.

Bazuar në këtë, kryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Rrustem Mustafa, thotë se Kosova nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të pranojë synimin e KFOR-it për mbajtjen e sigurisë dhe të stabilitetit në gjithë Kosovën.

“Tash na ka ardhur neve mundësia që t’i durojmë deklaratat, edhe pse nuk flasin konform me momentin, edhe pse janë më të buta për ne. Për neve është me rëndësi vendosja e ligjshmërisë në veri të vendit, pa probleme të mëdha”.

“Askush, as akterët vendorë, e as ata ndërkombëtarë, nuk është janë interesuar për të përdorur dhunën. Të gjithë janë të përkushtuar për të përdorur shtetin dhe instrumentet ligjore për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri”
, thotë Mustafa.

Ditë më parë, gjatë një vizitë në veri të Mitrovicës komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, e cilësoi zgjidhjen e problemit të Mitrovicës si çelës të shumë problemeve në Kosovë, por theksoi se KFOR-i do të mbetet neutral dhe nuk do të përzihet në çështje politike.

I pyetur nëse strategjia për veriun, si dokument politik, mund të gjejë zbatim, pavarësisht mospërfshirjes së KFOR-it në këtë proces, Mustafa shprehet:

“Është vështirë, sepse në shikim të parë shihet uji i turbullt. Por, nuk është vështirë, sepse KFOR-i ka treguar kapacitetet e mirëfillta për zotërimin e situatës çfarëdo qoftë ajo në vendin tonë”.


Ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit në pjesën veriore të Kosovës, sipas ekspertit për siguri, Ramadan Qehaja, nuk do të jetë e mjaftueshme po qe se synohet integrimi i veriut në sistemin shtetëror të Kosovës dhe rikthimi i sundimit të ligjit atje.

Duke folur për deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të lartë të NATO-s, të cilët pranuan se veprimi i strukturave paralele serbe në veri përbën një kërcënim për situatën e sigurisë, Qehaja thekson nevojën për veprime konkrete.

“Nëse është ashtu, atëherë nuk mendoj se KFOR-i mund të jetë neutral ndaj gjithë asaj çka po ndodh atje, ndaj të gjitha strukturave që kanë të bëjnë me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë që ekzistojnë atje, ndaj shërbimeve sekrete që ekzistojnë atje dhe përgatitjeve të tjera për t’iu kundërvënë strategjisë për veriun”
, vlerëson Qehaja.