Borxhi për të vërtetën e të pagjeturve

Fotografi të personave të pagjetur

Prishtina zyrtare ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të shtojë presionin ndaj Serbisë lidhur me bashkëpunimin për gjetjen e varrezave masive, personave të zhdukur dhe kapjen e personave që kanë bërë krime lufte.

Autoritetet kosovare i kanë bërë thirrje Beogradit zyrtar t’i heqë pengesat e tij në procesin e gjetjes dhe të identifikimit të trupave të zhdukur që nga lufta e 1999-ës në Kosovë, e të distancohet nga personat që kanë bërë krime dhe nga ato politika që, siç thuhet, kanë dashur të jenë hegjemoniste ndaj të gjithë popujve të rajonit.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka kërkuar qarqeve humaniste, shkencore dhe institucioneve shtetërore serbe që të shtojnë veprimet për t'i dorëzuar mbetjet mortore, gjithashtu edhe personat që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Për t’i gjetur varrezat masive, trupat e mbi 1800 njerëzve të pagjetur dhe për t’i identifikuar ata si dhe 420 mbetjet mortore, sipas presidentit Sejdiu, nevojitet një presion i shtuar ndërkombëtar ndaj Beogradit.

“Duhet një trysni edhe më e madhe ndërkombëtare ndaj institucioneve shtetërore të Serbisë sot, nesër dhe në kohën më të shkurtër, përndryshe do të mbetet identifikim i njëjtë, apo pajtim me krimin e bërë në Kosovë”
, ka thënë presidenti Sejdiu në Konferencën Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur, e cila po i vazhdon punimet në Prishtinë.

Ai, po ashtu, u ka ofruar mbështetjen shtetërore institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve të mjekësisë ligjore në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ka thënë se një nga mënyrat, me të cilat bashkësia ndërkombëtare mund ta detyrojë Beogradin për të dhënë informata mbi varrezat masive ende të pazbuluara, është nxjerrja e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Baza ligjore për nxjerrjen e një rezolute të tillë, sipas saj, qëndron në Deklaratën Universale për mbrojtjen e personave prej zhdukjes me forcë, në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Konventat e Gjenevës së 1949-ës dhe dokumente të tjera për të drejtat e njeriut.

“U drejtohem vendeve pjesëmarrëse në këtë konferencë dhe vendeve të tjera që ta sponsorizojnë nxjerrjen e një rezolute detyruese nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me të cilën Beogradi zyrtar do të detyrohej që të tregojë vendndodhjen e varrezave masive ende të pahapura dhe të pazbuluara, e të tregojë se ku janë të vendosur trupat e personave të pagjetur”,
është shprehur Kelmendi.

Kohë më parë, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi bëri të ditur lajmin për arrestimin e nëntë ish-paraushtarakëve të akuzuar për vrasjen e rreth 200 shqiptarëve në Qyshk të Pejës, në maj të 1999-ës.

Veprimet e tilla të shtetit serb, sipas presidentit Sejdiu, duhet të jenë të mirëfillta duke u distancuar nga fshehja e kriminelëve të luftës që kanë bërë krime në Kosovë, por edhe në vende të tjera.

“E mirë është në drejtësinë ndërkombëtare që krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen dhe do të ishte po kështu e mirë që ndaj atyre që kanë bërë vepra të krimit, të shkohet në thellësi të ndjekjes së tyre”.

“Por, në të njëjtën kohë, bëjmë vërejtje se nuk do të pajtohemi asnjëherë që këto procese të jenë pjesë e farsës së tyre për të thënë se po bëjnë diçka
”, ka theksuar presidenti Sejdiu.

Për shkak të, siç thuhet, mungesës së vullnetit politik të Beogradit zyrtar për të bashkëpunuar me Prishtinën dhe vendet e tjera në ish-Jugosllavi, përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut kanë marrë iniciativë për krijimin e komisioneve rajonale për verifikimin e fakteve për krime lufte në Ballkan.