Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, edhe pse pohojnë se ekziston një ndikim i Beogradit mbi serbët e Kosovës, e vlerësojnë të mirë komunikimin me serbët lokalë në vend, përfshirë dhe ata në pjesën veriore të Kosovës.
Ndikimi i Beogradit mbi serbët e Kosovës pengon integrimin e tyre në institucionet shtetërore të Kosovës - një fjali, e cila ka mundur të dëgjohet jo rrallëherë në opinionin publik në Kosovë.
Për dallim nga zonat në pjesën qendrore të Kosovës, ku në zgjedhjet e fundit lokale, një pjesë e serbëve vendosi të mos dëgjojë thirrjet zyrtare serbe për bojkot ndaj shtetit të Kosovës, kundërshtimi i serbëve të veriut mbetet ende çështje, me të cilën ballafaqohen mekanizmat vendorë dhe ata ndërkombëtarë.
Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare, mekanizëm ky i cili nga serbët e veriut cilësohet të jetë ilegal, thonë se ndikimi i Beogradit zyrtar mbi serbët kosovarë është evident. Zëdhënësi i këtij misioni, Endi Mekgafi, thotë:
“Është e ditur tashmë apo jo... Por, shumë serbë që jetojnë në Kosovë, deri në një masë, shikojnë kah Beogradi për një shkallë udhëzimi ose marrin parasysh qëndrimin zyrtar të Beogradit”.
Mekgafi hedh poshtë ekzistimin e problemeve në komunikim në mes të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe serbëve të Kosovës, përfshirë ata të veriut të vendit.
Zyra Civile Ndërkombëtare në zyrën rajonale të saj në Mitrovicë ka të punësuar një staf prej 30 vetash, që, sipas Mekgafit, mbajnë takime të shpeshta me përfaqësues të serbëve në veri, por jo vetëm me ata të skenës politike.
Në fillim të muajit shkurt, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, kishte emëruar 14 anëtarë në Ekipin Përgatitor Komunal për komunën e re të Mitrovicës Veriore.
Mekgafi thekson se ka serbë, të cilët, jo vetëm se bashkëpunojnë me ICO-në, por edhe marrin pjesë në projekte të caktuara.
“Stafi i zyrës sonë në Mitrovicë dhe i zyrave të tjera rajonale është shumë aktiv dhe ka takime me njerëz nga komuniteti serb. Ka kontakte të mira edhe me përfaqësues të institucioneve jopolitike, që përfshijnë organizatat joqeveritare apo njerëz që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse Serbe. Pra, ka kontakte të mira dhe e them këtë ngase stafi ynë mban takime me ta”, shprehet Mekgafi.
Pjesëmarrja më e madhe e serbëve në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë dhe rrjedhimisht në procesin e decentralizimit, sipas analistëve për çështje politike në Prishtinë, ka ndikuar në rritjen e presionit të Beogradit ndaj serbëve lokalë, për të penguar, siç thuhet, integrimin e tyre në shtetin e Kosovës.
Analisti Agron Bajrami thotë se Beogradi po lufton për ta mbajtur të ndarë veriun e Kosovës nga pjesa tjetër e vendit.
“Unë jam i bindur se përfaqësuesit ndërkombëtarë këtu kanë kontakte dhe komunikim me serbë të caktuar, mirëpo problemi i komunitetit serb në Kosovë, e sidomos në pjesën veriore të Kosovës, nuk janë serbët që jetojnë në Kosovë apo përfaqësuesit e tyre, të cilët mund të jenë edhe të vullnetshëm që të bashkëpunojnë, jo vetëm me ndërkombëtarët, por edhe me kosovarët”.
“Problemi është se vendimet kryesore dhe imponimin e situatës e bëjnë njerëzit në Beograd, e jo njerëzit në Mitrovicë, në Graçanicë apo në Çagllavicë. Ky problem do të mbetet për aq sa bashkësia ndërkombëtare nuk e ndërron mënyrën e sjelljes apo të trajtimit të Beogradit në kontekstin evropian”, deklaron Bajrami.
Ai thotë se si shembull që dëshmon rritjen e intensitetit të presionit të Serbisë ndaj serbëve kosovarë, mund të merren kërcënimet e shtuara për largim nga puna ndaj arsimtarëve të shkollave serbe në Kosovë, të cilët pranojnë të marrin pagë nga Ministria e Arsimit e Kosovës.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e minoritetit boshnjak, Sadik Idrizi, pohon se ka presione të tilla që u janë drejtuar arsimtarëve nga Qeveria serbe.
“Prej 2006-ës, ky është një kërcënim i vazhdueshëm. Prej 2006-ës, një pjesë e ka ndërprerë pagën nga buxheti i Kosovës”, thotë Idrizi.
Themelimi i bashkëpunimit me serbët e Zubin Potokut, Leposaviqt dhe Zveçanit, në veri të Kosovës, thuhet se është më i vështirë, për shkak të ndikimit ende të madh të Serbisë mbi banorët e këtyre zonave.
Serbët e veriut, deri më tani, kanë njohur vetëm misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë si institucion legal.