Fëmijët si fuqi punëtore

Fotografi ilustruese

Shitja e cigareve nëpër rrugët e Prishtinës, për fëmijët ka domethënien e ndihmës për familjen. Por, puna që bëjnë ata, nënkupton shkeljen e të drejtave të tyre dhe është e ndaluar me konventën ndërkombëtare.

Dy vëllezër, njëri 5 dhe tjetri 11 vjeç, kanë dalë në qendër të Prishtinës për të shitur cigare.

“Rri këtu dhe shes cigare”, thotë njëri prej tyre.

Ndërkaq Valoni, 11-vjeçar, thotë se punon për t’i ndihmuar familjes së tij. Por, ai nuk është i vetëdijshëm se puna që bën, nënkupton shkeljen e të drejtave të tij si fëmijë.

“Kam dalë për të shitur cigare, për t’i ndihmuar familjes”, thotë ai.

Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se në Kosovë, të drejtat e fëmijëve shkelen në mënyrë flagrante.

“Përkundër të gjitha konventave ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, shumica që lypin në rrugë, janë fëmijë, si dhe fuqia punëtore në treg, 50 për qind janë fëmijë, të cilët e kanë të ndaluar ta punojnë atë punë”
, thekson Shala.

Sipas tij, fëmijët janë të detyruar të lypin para në rrugë, derisa ata që punojnë në treg e bëjnë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike familjare dhe shndërrohen në mbajtës të familjeve.

“Familja nuk ndërmerr veprime që ta kthejë fëmijën në shkollë dhe kjo praktikë të ndërpritet”
, thotë Shala.

Ai thotë se askush nuk është duke u angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për t’ua siguruar një perspektivë dhe zhvillim normal. Sipas zotit Shala, kjo është një dukuri mjaft brengosëse.

Në anën tjetër, zyrtarë në Policinë e Kosovës thonë se, së voni, është hartuar plani për të drejtat e fëmijëve dhe largimin e lëmoshë-kërkuesve nga rruga.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë, thotë se në bashkëpunim me institucionet e vendit, policia ka arritur që disa fëmijë, të cilët punonin punë të rënda dhe e kishin ndërprerë mësimin, t’i kthejë në bankat shkollore.

“Policia e Kosovës, së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka arritur që të identifikojë fëmijë që kanë dalë në rrugë për të punuar, në mënyrë që të përfitojnë për familjarët e tyre. Policia e Kosovës ka arritur që 3 fëmijë t’i kthejë në shkollë, aty ku edhe e kanë vendin”,
thekson Kelani.

Nga të dhënat e autoriteteve të rendit, del se vetëm gjatë këtij viti, janë identifikuar 50 raste të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, me angazhimin e tyre në punë fizike.

Ndërsa, sipas zotit Shala, që nga viti 1999 nuk është bërë asnjë hulumtim, qoftë nga institucionet qeveritare, qoftë nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, lidhur me shkaqet që çojnë drejt shkeljes së të drejtave të fëmijëve.

Ai thotë se Qeveria nuk ka ndonjë strategji, që të paktën të zvogëlojë numrin e fëmijëve që bëjnë punë të detyrueshme, për shkak të ambientit socio-ekonomik në të cilin jetojnë.